Shqiptari që e do Dinamon e tij, Abazi me emocione të përziera: Ndaj Hajdukut vendoset me penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2025 | 14:31

Shqiptari që e do Dinamon e tij, Abazi me emocione të përziera: Ndaj Hajdukut vendoset me penallti

Dinamo City dhe Hajduku i Splitit janë kundërshtarë në Ligën e Konferencës, por të dy klubet kanë një urë lidhëse mes tyre. Padyshim ai është ish-sulmuesi Eduard Abazi, i cili mbetet një personazh i dashur për tifozerinë e të dy klubeve. Në prag të ndeshjes së kthimit që do të luhet të enjten në “Air Albania”, media kroate “slobodnadalmacija” i ka kushtuar një vend të zgjeruar ish- sulmuesit të Kombëtares.

ABAZI ME DJALIN RICHARD

Abazi tregon pjesë nga historia e karrierës së tij, kryesisht te Hajduku, si dhe flet edhe për ndeshjen e kthimit. Ai do të dëshironte që të dy klubet të kualifikoheshin, por mendon se duke e qenë e pamundur, fituesi do të vendoset me penallti, pas 210 minutash lojë në total. Ja shkrimi i medias kroate:

“Jo, nuk e kemi harruar, e si mund ta harronim, kur pikërisht tre vite më parë në Portugali, më 9 gusht, i dhamë një gëzim të madh, kur presidenti Lukša Jakobušić i solli një fanellë me numrin 5, ndërkohë që Hajduku luante kundër Vitória Guimarães, dhe Eduard Abazi ishte aty pranë “të bardhëve”, pasi jeton e punon prej vitesh në qytetin e afërt të Portos. Nuk ishte e vështirë për të të shkonte në stadiumin e Vitórias dhe në “qytetin e tij të lindjes në Portugali”, siç e quajnë me përkëdheli, Guimarães, për të qenë pranë “të bardhëve”.

Ishte një takim emocional, dhe atë fanellë të bardhë me numrin pesë Abazi e ruan me xhelozi edhe sot, një mijë ditë më vonë. Si kujtim nga viti kampion 1992 dhe formacioni i famshëm: Mihačić, Španjić, Novaković, Štimac, Abazi, Bilić, Jeličić, Miše, Mornar, Vučević, Kozniku.

Do të ishte interesante t’i shihje edhe njëherë në fushë, në kulmin e fuqisë së tyre. Atëherë nuk na dukeshin gjë e madhe, megjithëse kampionë të Kroacisë, shumica mjaft të rinj. Sot, kur i përmend, tingëllojnë si avionë supersonikë.

Në portë Mihačić-in mund ta zëvendësonte Slavica, Španjić-in – Robi Vladislavić, i quajtur “djali i erës”. Në stol, Stanko Poklepović.

– “Špaco, babai im i futbollit” – thotë Abazi.

Por tema nuk është 1992-shi, por përballja europiane Hajduk – Dinamo City Tirana, që po kthehet ngadalë në një triler.

abazi hajduk

– “Ashtu siç e mendoja, është një ndeshje që nuk ka pse të zgjidhet as në 180, as në 210 minuta, por vetëm me penallti. E shoh që të dyja skuadrat janë të barabarta. Është e vërtetë që Hajduku pati më shumë raste, por Dinamo shënoi një gol të bukur dhe për një kohë të gjatë pati epërsi në posedim 52:48. Goli i dytë i Hajdukut ishte pak me fat…”

Emocione të përziera
Emocionet e Abazit janë të ndryshme nga ato të Bulkut dhe Aliajt:

– “Unë jam në një pozitë të veçantë, sepse Dinamo Tirana është klubi im, nga Dinamo u nisa në botën e futbollit dhe në fanellën e bardhë, por edhe Hajduku është klubi im, dhe Spliti – qyteti im. Këtë e dini mirë. Kam qenë edhe te Šibeniku e pastaj kam vazhduar. Sot fokusi im janë djemtë e mi futbollistë, Richard dhe Romeo, por Hajduku mbetet në zemër. Po ashtu edhe Dinamo. Pesëdhjetë me pesëdhjetë. Richard ishte me mua kur mora fanellën e Hajdukut në Guimarães, e ruajmë ende.”

Si iu duk ndeshja e së enjtes së kaluar?

– “Shumë interesante, të dyja ekipet luajnë në sulm. Nuk dua të them që nuk dinë të mbrohen, por mbrojtja nuk është prioriteti i tyre, duan të luajnë hapur, kombinojnë mirë, gjuajnë. Publiku ka çfarë të shohë.”

Favoriti?

– “Po të kishte fituar Hajduku 3:1, do të ishte shumë më pranë kualifikimit. Tani gjithçka është e hapur. Nuk do të më çudiste një barazim pas 210 minutash e vendosja me penallti.”

Si është djali juaj Richard? Ishte i dëmtuar?

– “Po rikuperohet mirë, shpresojmë për më të mirën. Nga ekipi i të rinjve të Boavistës shkoi në Çeki, te Znojmo. Tani duhet të shërohet. Djali më i vogël, Romeo, ka pasur shumë sukses me ekipin e parë të Mirandelës, tani kërkojmë një skuadër të re.”

abazi

Abazi apo Abazaj?

– “Në pasaportë dhe në regjistrin civil jam Abazaj. Por në Shqipëri gjithmonë më kanë thënë Abazi. Mund të përdorni të dyja. Jam unë sido që të jetë.”

Si erdhi transferimi juaj te Hajduku?

– “Mund të bëhej film. Shqipëria u hap vonë pas regjimit dhe sapo mora lejen për të dalë jashtë, shkova te të afërmit në Ulqin, pastaj në Budva, për të gjetur një mundësi. Në një stërvitje të klubit vendas, Hajdukov funksionar, Slobodan Bronzović, po kalonte aty pranë. Unë shënova tre gola në atë seancë dhe ai më tha: ‘Ti je lojtar për Hajdukun, mos lëviz’. Isha sulmues i Dinamos së Tiranës dhe i Kombëtares së Shqipërisë.”

Prova në Jabllanicë

– “Hajduku kishte ndeshje në Sarajevë, por u shty për shkak të borës. Zbritën në Jabllanicë për mini-përgatitje. Aty luajta, shënova dhe fitova kontratën. Madje isha në stol në finalen e Kupës që Bokšić e fitoi ndaj Crvena Zvezdës në Beograd, në 1991. Pastaj trajneri Poklepović më propozoi të luaja si qendërmbrojtës dhe doli shumë mirë. Fitova titullin e parë kampion të Kroacisë me Hajdukun dhe jam krenar për këtë.”

– “Në vjeshtën e vitit 1991, gjatë bombardimeve dhe sulmeve në Split, më ofruan të largohesha nëse kisha frikë. Unë thashë: Jo, do të qëndroj këtu, ndaj fatin dhe luftën me Hajdukun, me qytetin dhe Kroacinë.”

Sot, 34 vjet më pas

– “Koha kalon, por kujtimet mbeten. Do të doja që të kualifikoheshin të dyja, Dinamo Tirana dhe Hajduku, por kjo nuk është e mundur. Mendoj se gjithçka do të vendoset me penallti.”

Është mirë të dish se pas kaq shumë vitesh rruga e miqësisë midis Splitit dhe Portos ende funksionon, është thjesht për të ardhur keq që nuk do të jemi bashkë në Tiranë, për të na treguar se ku jetonte ai, për të provuar imagjinatën se si mund të ketë qenë gjatë kohës së Enver Hoxhës dhe “Perdes së Hekurt”, sepse, për të qenë i sinqertë, nuk e dimë realisht se si ka qenë dikur. Në Shqipëri.”

ILIR CARA- PANORAMASPORT.AL