Shpëtimtari i Vorës, Folahan i entuziazmuar nga goli i shënuar
Adeloye Ayodele Folahan mund të konsiderohet shpëtimtari i Vorës në ndeshjen ndaj Tiranës, ku goli i tij solli pikë të vlefshme për skuadrën. Ai hyri në lojë rreth pesë minuta para fundit dhe shfrytëzoi kthimin e topit nga shtylla, pas goditjes me kokë të Kasallës, për të barazuar rezultatin dhe për t’i dhënë skuadrës shpirt luftarak.

20- vjeçari u bashkua me Vorën më 14 korrik 2025 dhe menjëherë tërhoqi vëmendjen e mediave afrikanë, të cilët e cilësuan si një nga lojtarët afrikanë “të pashpresë” që, megjithatë, arriti të fitojë një pagë të majme në Europë si pjesë e Super Eagles. Në atë kohë, shtypi shkruante: “Nga gjendja e pashpresë, Ayo arriti të fitonte një pagë prej rreth N1,000,000 në Europë. Ayo, siç e thërrisnin shkurt afrikanët, do të jetojë jetën e tij të ëndrrave”.
Ayodele Adeloye ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me Vorën deri në vitin 2029. Ai është prodhim i akademisë “Stars Builders” në Ogun State, ku bëri emër duke ndihmuar ekipin e tij të fitojë Ligën Shtetërore Ogun në vitin 2022. Tashmë, afrikani po shpërthen edhe në Shqipëri. Goli i tij i fundit jo vetëm që solli barazimin, por rriti edhe më shumë vlerën e tij në ekip. Për “Panorama Sport”, Adeloye Ayodele Folahan shprehet:
“Jam shumë i lumtur që ndodhem pranë këtij klubi, sidomos në prezencën time të parë në Shqipëri. Ndoshta në Afrikë nuk do të kisha pasur kaq mundësi për një karrierë të madhe, por këtu ndihem i motivuar dhe kam alternativa për të ecur përpara. Shqiptarët janë shumë mikpritës, dhe falënderoj të gjithë, nga stafi drejtues i Vorës te shokët e skuadrës, që më japin forcë për të vazhduar. Goli që shënova ia dedikoj prindërve të mi, për sakrificën dhe mbështetjen e tyre.
Tashmë dua të shpërthej edhe më shumë te Vora, sidomos duke mësuar nga lojtarët me përvojë dhe duke dhënë maksimumin për ekipin. Dua gjithashtu të falënderoj Manfredas Ruzgis për përqafimin pas golit. Ndihem në një formë shumë të mirë fizike dhe teknike dhe dua ta përdor këtë për të rritur performancën e ekipit në fushë”.
Adeloye Ayodele Folahan tashmë ka nisur të bëhet një emër i rëndësishëm për Vorën, duke treguar se talenti afrikan, puna dhe dedikimi mund të sjellin rezultate edhe në një mjedis të ri dhe sfidues.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













