“Shkëndijat” e para te Vllaznia/ Kastrati dhe Bismark, që tani kompetitivë
Ditën e diel, Vllaznia zhvilloi një miqësore kundër Deçiçit të Tuzit, ku shkodranët triumfuan me rezultatin 3-0.

Në një duel që më shumë shërbente për të lënë në ritëm futbollistët kuqeblu, për shkak të pushimit të kampionatit, u “testuan” edhe disa elementë të cilët mund të konsiderohen si alternativa. Pasi jo të gjithë titullarët e 9 herë kampionëve të vendit tonë zbritën në fushën e lojës në miqësoren ndaj skuadrës shqiptare nga Mali i Zi, në realitet ata që dhanë “shkëndija” dhe treguan se po marrin formën e tyre gradualisht ishin Lirim Kastrati dhe Çarls Bismark.
Dy sulmuesit e afruar në radhët e shkodranëve gjatë kësaj vere, dhe nga të cilët pritet shumë në opinionin sportiv. I pari shënoi edhe golin e parë me fanellën kuqeblu, ku hapi shifrat e takimit në minutën e 36-të, pas një gjuajtjeje të saktë me të majtën në cepin e portës. Goditje që ishte e pakapshme për portierin kundërshtar. Megjithatë, jo vetëm goli, por edhe loja dhe dëshira e Kastratit për t’u përfshirë në aksionet sulmuese u vlerësuan nga stafi teknik.
Me formën e 26-vjeçarit që u pa qartë se ishte në rritje, një fakt i tillë kënaq në rradhët e Vllaznisë. Nga ana tjetër, Bismark nuk arriti të gjente golin, ndoshta për shkak të fatit, por forma fizike ishte optimale për ganezin, i cili tentoi edhe golin dy herë në mënyrë spektakolare, por pa sukses. Megjithëse duartrokitjet e publikut të pranishëm në stadium nuk munguan.
Një formë kjo në rritje për dy sulmuesit që mund të konsiderohen si titullarë te Vllaznia. Ku do të ketë edhe një javë kohë për përmirësimin e gjendjes së tyre para ndeshjes me Partizanin, që do të luhet këtë të shtunë në stadiumin “Loro Boriçi”.
PANORAMASPORT.AL













