Shkëlqyen në Superiore, ja formacioni i yjeve për sezonin 2024–2025 sipas gazetës “Panorama Sport”
Përtej garës së ekipeve, ky sezon u karakterizua edhe nga shkëlqimi i individëve që lanë gjurmë në fushë. Nga portierë të pathyeshëm, mbrojtës të vendosur, mesfushorë kreativë e dominantë, deri te sulmuesit që shënonin gola vendimtarë, formacioni më i mirë i kampionatit përmbledh ata që jo vetëm kishin statistika mbresëlënëse, por që ndikuan drejtpërdrejt në fatin e skuadrave të tyre.
Kjo është 11-shja ideale e sezonit 2024–2025 sipas gazetës “Panorama Sport”, një përzgjedhje që pasqyron më të mirët e futbollit tonë elitar dhe vlerëson ata që ishin të pazëvendësueshëm në sukseset e klubeve të tyre.
PORTIER
Mario Dajsinani (Egnatia)
Pa asnjë dyshim, Mario Dajsinani është portieri më i mirë i kampionatit. Ai ka qenë një pikë referimi në portën e Egnatias, duke ofruar siguri, refleks të shpejtë dhe vendime të sakta në ndeshje të vështira. Kontributi i tij ka qenë vendimtar në arritjen e titullit kampion, me pritje vendimtare në momentet më të rëndësishme të sezonit.
MBROJTJA
Agan Mjaki (Laçi) Edhe pse skuadra e Laçit u rrëzua nga kategoria, Mjaki ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit. I vendosur në krahun e djathtë të mbrojtjes, ai ka pasur një sezon të shkëlqyer, duke realizuar pesë gola, shifër mbresëlënëse për një mbrojtës dhe duke treguar lidership dhe shpirt gare në çdo ndeshje.
Arbenit Xhemajli (Egnatia) Një shtyllë e vërtetë në zemrën e mbrojtjes së kampionëve. Me eksperiencë dhe qetësi, Xhemajli ka udhëhequr prapavijën e Egnatias dhe ka qenë gjithmonë i pranishëm në duelet më të forta. Ai është një nga ato lloje mbrojtësish që çdo skuadër do të donte të kishte.
Naser Aliji (Dinamo) I transferuar për të mbuluar mbrojtjen e majtë, Aliji është shndërruar në një element kyç në qendrën e mbrojtjes së Dinamos. Me adaptim të shpejtë në një pozicion jo të zakonshëm për të, ai tregoi përgjegjësi, vendosmëri dhe sakrificë për ekipin.
Lorran (Dinamo) Në një sezon ku Ndreca u dëmtua, Lorran mori skenën në krahun e majtë të Dinamos. Braziliani ishte një piston i pandalshëm në krah, duke kontribuar në fazat sulmuese dhe duke qenë gjithmonë i qëndrueshëm në prapavijë. Energjia dhe dinamizmi i tij sollën ekuilibër në lojën e ekipit.
MESFUSHA
Zemra e kampionatit Albano Aleksi (Egnatia)
Një nga lojtarët më të qëndrueshëm në mesin e fushës. Aleksi ka shërbyer si një mburojë e palëkundur për mbrojtjen, duke ndërprerë aksionet kundërshtare dhe nisur sulmet me vizion e saktësi. Loja e tij e heshtur, por jashtëzakonisht efektive, ka qenë thelbësore për Egnatian.
Regi Lushkja (Egnatia) Sezoni i karrierës për Lushkjan. Me 16 gola, ai ishte golashënuesi më i mirë i Egnatias dhe kontribuoi ndjeshëm në fitimin e titullit. Me depërtime nga mesi dhe gjuajtje të sakta, Lushkja u shndërrua në armën kryesore të ekipit në momente kyçe.
Baton Zabërgja (Dinamo) Një nga shpërthimet më të mëdha të këtij sezoni. Zabërgja ishte protagonisti absolut në ngritjen e Dinamos në klasifikim. Me statistika mbresëlënëse dhe një lojë të papërmbajtshme, ai e ka bërë të vështirë për Dinamon ta mbajë gjatë në skuadër, ndoshta një destinacion më i madh e pret së shpejti.
Serxho Ujka (Egnatia) Transferimi i tij nga Laçi tek Egnatia rezultoi vendimtar. Ujka jo vetëm që shënoi 6 gola, por dha edhe 11 asistime në kampionat, duke treguar se është një mesfushor modern, me vizion, kreativitet dhe ndjenjë goli.
SULMI: forca që vendosi fatin e ndeshjeve Bekim Balaj (Vllaznia)
Kapiteni dhe lideri i Vllaznisë, Balaj, zhvilloi një tjetër sezon të shkëlqyer, me 19 gola në kampionat. Ai ishte pikë referimi në çdo aksion sulmues të shkodranëve dhe vetëm titulli kampion i mungoi për të kurorëzuar këtë sezon të madh.
Itodo Mandela (Dinamo) Zbulimi absolut i kampionatit. Me 13 gola në Superiore dhe 8 të tjerë në Kupë, Mandela ka qenë sulmuesi kryesor i Dinamos dhe një makineri e vërtetë golash. Shkathtësia dhe instinkti i tij në zonë janë tregues të një talenti që mund të shpërthejë edhe në nivele më të larta.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL













