Shkëlqen në derbin e Qarkut Dibër, mesfushori Ndreu: Korabi ka radhën për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2026 | 15:08

Shkëlqen në derbin e Qarkut Dibër, mesfushori Ndreu: Korabi ka radhën për fitore

Korabi e nisi fazën e tretë në transfertë me një barazim 0-0 në Burrel. Në një derbi të tillë, shpallja “lojtari më i mirë i ndeshjes” përbën një sukses të veçantë, pasi pasqyron më së miri performancën individuale në një përballje të fortë.

alen ndreu korabi

Ky vlerësim në derbin e zhvilluar në Burrel i takoi futbollistit të Korabit, 22-vjeçarit kryeqytetas Xhejson Ndreu, i cili ka qenë një nga elementët më të qëndrueshëm të skuadrës, me 20 ndeshje të zhvilluara këtë sezon. Mesfushori ishte ndër më të mirët në fushë. Në rolin e mesfushorit të qendrës, ai i dha ritëm lojës së skuadrës së tij, duke krijuar raste të rrezikshme dhe duke shërbyer me pasime të sakta drejt repartit ofensiv. Ndreu u dallua për qarkullimin e pastër të topit dhe organizimin e aksioneve, edhe pse skuadra nuk arriti të konkretizojë për epërsi.

Për “Panorama Sport”, pas ndeshjes Ndreu u shpreh: “Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, por ishim më pak konkretë dhe duhej të shfrytëzonim rastet e krijuara, të cilat ishin të pastra për gol. Ndërsa në pjesën e dytë nuk luajtëm aq mirë, por u treguam më konkretë në veprimet tona. Në fraksionin e parë bëmë manovra të mira, por nuk arritëm të finalizonim”. I pyetur për vlerësimin personal, ai shtoi:

“Për mua ky vlerësim nuk është sukses i plotë, sepse ne nuk fituam ndeshjen. Edhe gjykimi ndikoi në rrjedhën e lojës sonë. Ishte një përballje e vështirë dhe terreni nuk na lejoi të shprehnim plotësisht lojën tonë. Gjithsesi dhamë maksimumin dhe besoj se në ndeshjen tjetër do të marrim tre pikët”.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL