“Shënoj unë, lezhjanët s’na e prishin dot festën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2015 | 17:33

“Shënoj unë, lezhjanët s’na e prishin dot festën”

bruno-kepiTërbuni ka mbërritur dje në Pukë, ku ësh të pritur nga tifozët e shumtë dhe shefi i klubit, Bujar Mehaj. Puka ka marrë një pamje tjetër, ndërsa atmosfera është tejet elektrizuese.

Të gjithë po presin fundin e 90-minutëshit me Besëlidhjen, për të nisur festën. Mbrojtësi shtatlartë i Tërbunit, Bruno Kepi, i cili ka shënuar katër gola për këtë skuadër, në prag të finales ndaj Besëlidhjes shprehet i bindur se do të shënojë edhe ndaj tyre.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai shpreh bindjen se nuk do ta diskutojnë fitoren ndaj lezhjanëve, për t’u bërë kështu pjesë e elitës së futbollit shqiptar. “Gjatë gjithë sezonit, kemi dhënë më të mirën në çdo takim, duke marrë vetëm rezultate pozitive. Tani ka ardhur dita të bëhemi pjesë e Superiores. Përballja me Besëlidhjen do të jetë mjaft e fortë, por ne do të hyjmë në fushë me synimin për të bërë një lojë të bukur dhe dhuruar spektakël, për marrjen e tri pikëve. Kam bindjen se fitorja do të na buzëqeshë ne. Një gjë të tillë e mbështes te forca reale që ka ekipi për ta mundur Besëlidhjen”.

Besimi

Duke vijuar më tej, Kepi shton: Mendoj se çdo gjë flet qartë, sepse skuadra i ka të gjitha takimet me fitore radhazi dhe një numër i konsiderueshëm golash, pothuajse nga të gjithë lojtarët. Ne do ta nisim lojën që në fillim me një rezultat pozitiv, rezultat që do të na dërgojë direkt në Superiore. Kjo finale do të luhet në fushën tonë përpara tifozërisë së zjarrtë, e cila do të jetë e shumtë në numër. Ndaj, ne duhet t’ua shpërblejmë me lojë të bukur dhe me fitore, për të nisur festën që në stadium dhe për ta vazhduar më pas në mes të qytetit me të gjithë pukjanët. Ndërkaq, grupi do të jetë i plotë, ku janë rikthyer edhe Arbër Mone dhe Abaz Karakaçi. Trajneri Plori është më i qetë pas rikthimit të tyre, sepse janë lojtarë titullarë që e njohin mirë lojën e çdo kundërshtari. Presidenca është shumë të përkushtuar për sfidën e së shtunës”.