Plani i Partizanit në merkato, tre afrime nga jashtë për të kuqtë në sezonin e ri
Partizani vijon përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa në klub puna nuk është përqendruar vetëm te zgjedhja e trajnerit të ardhshëm. Paralelisht me dosjen e pankinës, drejtuesit po lëvizin edhe në merkaton e futbollistëve, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për edicionin 2026-2027. Pas përfundimit të kampionatit, në klub ka nisur analiza e organikës dhe e nevojave që ka ekipi për sezonin e ardhshëm. Nga vlerësimet e bëra deri tani, janë identifikuar disa pozicione ku Partizani synon të ndërhyjë me përforcime të reja.

MERKATO- Në krye të listës qëndron reparti mbrojtës. Të kuqtë janë në kërkim të një qendërmbrojtësi, i cili pritet të shtojë konkurrencën në prapavijë dhe të ofrojë më shumë alternativa për stafin teknik. Gjatë sezonit të fundit, skuadra u përball me disa mungesa të rëndësishme në mbrojtje, çka ndikoi edhe në vazhdimësinë e rezultateve. Për këtë arsye, afrimi i një lojtari në qendër të mbrojtjes konsiderohet një nga prioritetet kryesore të merkatos së verës. Drejtuesit synojnë të gjejnë profi lin e duhur për këtë rol, duke analizuar alternativa të ndryshme jashtë vendit. Përveç repartit difensiv, Partizani po kërkon të ndërhyjë edhe në sulm, veçanërisht në krahët e repartit ofensiv. Klubi synon të afrojë dy futbollistë që luajnë në pozicionet anësore të sulmit. Njëri prej tyre pritet të mbulojë krahun e majtë. Ky pozicion ka marrë rëndësi të veçantë pas largimit të Vüsal Isgandarlit, i cili nuk do të jetë pjesë e skuadrës në sezonin e ardhshëm. Afrimi i një lojtari të ri në këtë rol do t’i japë ekipit një alternativë shtesë në repartin ofensiv, ndërsa do të krijojë edhe më shumë konkurrencë me Laorent Shabanin.
NDËRHYRJET- Nga ana tjetër, drejtuesit po kërkojnë edhe një futbollist për krahun e djathtë të sulmit. Në këtë pozicion aktualisht një nga emrat kryesorë është Sekou Sidibe, i cili la përshtypje pozitive gjatë pjesës së dytë të kampionatit. Megjithatë, në klub synojnë të kenë më shumë alternativa dhe konkurrencë në çdo repart. Për këtë arsye, po punohet për afrimin e një tjetër futbollisti që mund të luajë në të njëjtin rol. Një opsion që ndodhet tashmë në organikë është edhe Kazim Ogunleje. Futbollisti i ri është rikthyer nga huazimi te Pogradeci, ku zhvilloi një sezon pozitiv dhe arriti të shënonte pesë gola. Paraqitjet e tij në Kategorinë e Parë kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve, të cilët do ta vlerësojnë gjatë fazës përgatitore përpara se të marrin një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij. Megjithatë, pavarësisht rikthimit të Ogunlejes, klubi vijon të kërkojë edhe një alternativë tjetër për repartin ofensiv. Ideja është që skuadra të ketë më shumë zgjidhje gjatë sezonit dhe të mos mbështetet vetëm te një numër i kufi zuar lojtarësh.
SI ÇËSHTJA E TRAJNERIT, EDHE MERKATO FOKUSOHET TE TREGU I HUAJ- Ashtu si në rastin e trajnerit, edhe në merkato vëmendja e drejtuesve është përqendruar kryesisht te tregu i huaj. Emrat që po analizohen vijnë nga kampionate të ndryshme dhe kontaktet kanë nisur prej disa javësh. Puna po zhvillohet në mënyrë të kujdesshme, pasi drejtuesit kërkojnë të shmangin lëvizjet e nxituara. Objektivi është që afrimet të përshtaten me nevojat e skuadrës dhe me projektin që do të ndërtohet për sezonin e ardhshëm. Një faktor i rëndësishëm në vendimet që do të merren mbetet edhe emërimi i trajnerit të ri. Profi li i teknikut që do të marrë drejtimin e ekipit mund të ndikojë edhe në zgjedhjet përfundimtare në merkato. Për këtë arsye, dosjet e trajnerit dhe të futbollistëve po ecin paralelisht. Klubi dëshiron që të ketë një panoramë sa më të qartë përpara nisjes së përgatitjeve verore. Sipas planit aktual, synimi është që pjesa më e madhe e organikës të jetë e kompletuar deri në fund të muajit qershor. Kjo do t’i jepte mundësi skuadrës të punonte me grupin pothuajse të plotë që në fi llim të fazës përgatitore. Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja si në lidhje me trajnerin, ashtu edhe me afrimet e mundshme. Deri atëherë, drejtuesit vijojnë punën në prapaskenë për të ndërtuar Partizanin e sezonit 2026-2027, me synimin që skuadra të paraqitet sa më e përgatitur në nisje të kampionatit të ri.
PANORAMASPORT.AL













