Stekat e reja në aksion, bilardo zhvillon kampionatin e fëmijëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2026 | 19:39

Stekat e reja në aksion, bilardo zhvillon kampionatin e fëmijëve

Federata e Shqiptare e Bilardos dhe Snookerit organizoi vetëm pak ditë më parë kampionatin e 23-të kombëtar të fëmijëve në disiplinën 9- gurë, duke zgjedhur pikërisht 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Screenshot 2026-06-04 193910

Bëhet fjalë për një nga aktivitetet më të rëndësishme për promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në bilardon shqiptare, që prej vitesh mbledh fëmijët më të talentuar nga e gjithë vendi. Si çdo vit, aktiviteti nisi me thirrjen simbolike të bilardistëve të rinj: “Kush është sporti numër 1 në Shqipëri?…Bilardo!”. Në garë morën pjesë sportistë të moshës 8 deri në 15 vjeç, të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Një rol të rëndësishëm në organizimin e këtij aktiviteti kanë luajtur prej vitesh motrat Vjola Loku dhe Greisi Loku. Vjola Loku, anëtare e kryesisë së European Pocket Billiard Federation, ka kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e sportit, ndërsa Greisi Loku, arkitekte dhe dizajnere, ka sjellë çdo vit ide kreative dhe standarde të larta organizative në aktivitetet e komunitetit të bilardos. Garat u zhvilluan me rivalitet të fortë dhe nivel të lartë sportiv.

Duke kaluar në fazën e nxehtë të kompeticionit, në gjysmëfinale u regjistruan këto rezultate: Jurgen Xhafa – Ervin Sheme 5–2 dhe Samuel Delaj – Muamet Biçaku 5–3. Finalja solli përballë dy prej talenteve më premtuese të kampionatit. Jurgen Xhafa arriti të triumfojë me rezultatin 5– 2 ndaj Samuel Delajt, duke fituar titullin kampion i Shqipërisë për fëmijë në disiplinën 9 Gurë. Suksesi i Jurgen Xhafës mbart një simbolikë të veçantë për bilardon shqiptare. Babai i tij, Julian Xhafa, është kampioni i parë i bilardos në Shqipëri, i shpallur në vitin 2002. Gjatë karrierës së tij sportive, Juliani ka fituar disa tituj kampion kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë, duke krijuar një traditë të suksesshme familjare në këtë sport.

Paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Samuel Delaj, i cili në moshën vetëm 14- vjeçare u shpall nënkampion i Shqipërisë. Merita të veçanta për zhvillimin e talenteve të reja i takojnë edhe trajnerit të ekipit të Vllaznisë, Idrit Biba, i cili vazhdon të punojë me përkushtim në formimin e brezit të ri të bilardistëve shqiptarë. Federata shprehu gjithashtu mirënjohje për Ylli Gordanin, i cili ka qenë një nga kontribuuesit më aktivë në organizimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive të saj. Kampionati Kombëtar i Fëmijëve 2026 dëshmoi edhe një herë se bilardoja shqiptare vazhdon të prodhojë talente të reja me potencial të madh. Pasioni, disiplina dhe cilësia e treguar nga pjesëmarrësit japin arsye për optimizëm se e ardhmja e këtij sporti në Shqipëri mbetet premtuese, si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Screenshot 2026-06-04 193843

PANORAMASPORT.AL