Venus Uilliams flet për rikthimin e Serenës: Cilësia e saj është ende aty
Bota e tenisit u befasua gjatë kësaj jave, në mes të zhvillimit të turneut “Roland Garros”, kur u konfirmua zyrtarisht rikthimi në fusha i Serena Uilliamsit.

Amerikania do të marrë pjesë në turneun “WTA” të “Queen’s” në garën e dysheve, ku do të luajë përkrah kanadezes Viktoria Mboko. Objektivi i 44- vjeçares është të rikthejë ritmin e garës dhe më pas të kalojë edhe në konkurrimin individual, sapo të ndihet plotësisht e gatshme.
Motra e saj më e madhe, Venus Uilliams, e cila vazhdon ende karrierën aktive pavarësisht spekulimeve për tërheqje, komentoi për kanalin “TNT” rikthimin e Serenës: “Të them të drejtën, nuk e kam parë duke u stërvitur. Por cilësia e goditjeve të saj është padyshim ende aty. Mendoj se kjo është diçka natyrale për të. Serena është shumë këmbëngulëse dhe luftëtare. Prandaj nuk jam aspak e shqetësuar për mënyrën se si do të luajë”, deklaroi Venus.
NJË DYSHE PËR HISTORINË – Ekziston mundësia që motrat Uilliams të bashkohen sërish në një ndeshje dyshe, një ngjarje që do të tërhiqte vëmendjen e mbarë botës së sportit. Madje, në qarqet e tenisit po qarkullojnë spekulime se Venus mund t’i japë fund karrierës së saj pikërisht duke luajtur përkrah motrës së saj në një paraqitje të fundit historike.
PANORAMASPORT.AL













