EKSKLUZIVE/ Ribaj e Liçaj, Flamurtari merr vendimin për stolin. Në dyshim drejtori Ferko
Flamurtari ka nisur një proces të thellë riorganizimi pas rënies nga Kategoria Superiore, ndërsa ndryshimet e para kanë prekur edhe stafin teknik.

Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj nuk do të jenë më pjesë e klubit vlonjat, duke mbyllur përfundimisht bashkëpunimin me kuqezinjtë. Burime pranë klubit vlonjat konfirmojnë për “Panorama Sport” se drejtuesit kanë vendosur të mos vazhdojnë më me dy trajnerët, të cilët morën drejtimin e ekipit në javët e fundit të sezonit, në një përpjekje për të shmangur rënien nga elita. Megjithatë, objektivi nuk u arrit dhe pas analizës së bërë nga drejtuesit, është vendosur që ata të mos jenë pjesë e projektit të ri.
Ribaj dhe Liçaj kanë qenë të lidhur ngushtë me Flamurtarin gjatë viteve të fundit. Përveç rolit si zëvendëstrajnerë në dy sezonet e fundit, ata kanë kontribuar edhe si futbollistë me fanellën kuqezi, duke fituar respektin e tifozëve vlonjatë. Pavarësisht kësaj historie, klubi ka zgjedhur të hapë një kapitull të ri, pa i përfshirë ata në asnjë funksion tjetër brenda strukturës sportive.
NË KËRKIM TË “TIMONIERIT” TË RI
Paralelisht me largimet, Flamurtari ka nisur punën për përzgjedhjen e trajnerit që do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Emri i trajnerit të ri konsiderohet si vendimi më i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, pasi objektivi kryesor mbetet rikthimi i menjëhershëm në elitë.
Sipas informacioneve të publikuara më herët nga “Panorama Sport”, në listën e kandidatëve janë emra të njohur si Armando Cungu, Eqerem Memushi dhe Jeton Beqiri. Megjithatë, deri tani nuk ka negociata konkrete me asnjërin prej tyre.
Presidenti Sinan Idrizi po tregohet i kujdesshëm në këtë proces dhe nuk dëshiron të marrë një vendim të nxituar. Drejtuesit synojnë të zgjedhin profilin e duhur për projektin afatgjatë të klubit dhe nuk përjashtohet mundësia që pankina t’i besohet një trajneri të huaj, alternativë që po shqyrtohet seriozisht.
FERKO NË PIKËPYETJE, PRITEN NDRYSHIME TË TJERA
Lëvizjet nuk pritet të ndalen vetëm te stafi teknik. Rënia nga Kategoria Superiore po konsiderohet si një dështim kolektiv dhe analiza e klubit po shtrihet në të gjitha nivelet drejtuese. Në qendër të vëmendjes është vendosur edhe sekretari i klubit, Alfred Ferko, i cili ka pasur rol në proceset e merkatos dhe në organizimin sportiv të skuadrës.
Burime pranë Flamurtarit bëjnë me dije se pozicioni i tij do të rishqyrtohet në ditët e ardhshme, ndërsa nuk përjashtohen ndryshime të tjera në strukturën organizative. Presidenti Idrizi pritet të marrë vendime të rëndësishme gjatë javëve në vijim, me synimin për të ndërtuar një Flamurtar më të fortë, më konkurrues dhe të aftë për të siguruar rikthimin e menjëhershëm në Kategorinë Superiore. Në Vlorë ka nisur koha e llogarive dhe revolucioni kuqezi duket se sapo ka filluar.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













