EKSKLUZIVE/ Rikthim i bujshëm në Superiore, Egnatia bën gati goditjen e madhe të merkatos së verës
Pas suksesit historik dhe dominimit në futbollin shqiptar, Egnatia ka nisur lëvizjet e para në merkaton e verës me objektiva të qarta: ndërtimin e një skuadre edhe më konkurruese për aventurën europiane.

Klubi rrogozhinas, që sapo festoi titullin e tretë kampion radhazi, është i vetëdijshëm se sfidat në arenën ndërkombëtare kërkojnë një nivel tjetër cilësie dhe thellësie në organikë. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit kanë nisur punën për të identifikuar futbollistë që mund të rrisin nivelin e ekipit dhe të ndihmojnë skuadrën të bëjë hapin e madh në kompeticionet europiane.
Objektivi është ambicioz, por jo i paarritshëm. Pas eksperiencave të viteve të fundit në Europë, te Egnatia besojnë se ka ardhur momenti për të kaluar më shumë ture dhe për të luftuar seriozisht për një vend në fazën e grupeve të Conference League. Për të realizuar këtë synim, merkatoja e verës konsiderohet vendimtare.
REGI LUSHKJA – Emri i parë që po qarkullon pranë kampionëve të Shqipërisë është ai i Regi Lushkjas. Mesfushori shqiptar po kalon një situatë të papritur në Iran, ku aktivizohet me skuadrën e Tractor. Sezoni i fundit ishte pozitiv për Lushkjan, i cili realizoi 6 gola me ekipin iranian dhe dha kontribut të rëndësishëm deri në momentin që u pezullua kampionati.
Megjithatë, situata e krijuar në Iran për shkak të tensioneve të vazhdueshme në rajon ka sjellë pasiguri për të ardhmen e shumë futbollistëve të huaj, mes tyre edhe shqiptarit. Pikërisht për këtë arsye po shihet me interes mundësia e një rikthimi të tij në Shqipëri gjatë kësaj vere. Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se Egnatia është skuadra që po ndjek më nga afër situatën e mesfushorit. Rrogozhinasit e njohin shumë mirë vlerën e Lushkjas, i cili vetëm verën e kaluar u transferua nga kampionët e Shqipërisë drejt Tractor në Iran.
Një rikthim i tij do të konsiderohej një goditje e rëndësishme për skuadrën, pasi bëhet fjalë për një futbollist që njeh ambientin, filozofinë e klubit dhe kërkesat e futbollit shqiptar. Për më tepër, ai do të sillte eksperiencën e fituar jashtë vendit, element që mund të rezultojë shumë i vlefshëm në përballjet europiane. Drejtuesit e Egnatias e konsiderojnë mesfushorin si një lojtar që mund të bëjë diferencën jo vetëm në kampionat, por sidomos në ndeshjet me intensitet të lartë që e presin skuadrën gjatë verës.
EUROPA, PRIORITET ABSOLUT – Në kampin e Egnatias synimi është i qartë. Pas dominimit në arenën vendase, tashmë fokusi është zhvendosur te kompeticionet europiane, ku klubi kërkon të hedhë një tjetër hap cilësor në historinë e tij. Drejtuesit janë të bindur se baza e skuadrës kampione duhet të ruhet, ndërsa afrimet e reja duhet të jenë të studiuara me kujdes dhe të sjellin vlerë të shtuar. Përveç mesfushës, nuk përjashtohen ndërhyrje edhe në repartet e tjera, me synimin për të krijuar më shumë alternativa për stafin teknik.
Merkatoja pritet të jetë e ngarkuar dhe emra të tjerë mund të dalin në skenë gjatë javëve në vijim, por aktualisht Regi Lushkja mbetet objektivi më konkret i kampionëve. Bisedimet dhe zhvillimet e ardhshme do të tregojnë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët për një rikthim që do të pritej me entuziazëm nga tifozët e Egnatias. Mbetet për t’u parë nëse kushtet do të krijohen për rikthimin e mesfushorit në Superiore, por ajo që duket e sigurt është se Egnatia ka hyrë fuqishëm në merkato.
Klubi rrogozhinas nuk dëshiron të mjaftohet vetëm me sukseset në Shqipëri, por synon të shkruajë histori edhe në arenën europiane, duke ndërtuar një skuadër të aftë për të konkurruar denjësisht dhe për të realizuar ëndrrën e madhe të fazës së grupeve.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













