FSHF ishte e vetmja që i hapi derën, lojtari izraelit flet për gjestin e turpshëm ndaj tifozëve shqiptarë: Nuk pendohem, dola sepse nuk desha të më dëmtonin
Oskar Gloukh ishte protagonisti kryesor i ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit, pasi goli i tij ishte ai që u dha fitoren miqve në “Air Albania”. Por përtej golit, lojtari i Ajaksit u bë protagonist edhe me festimin e tij provokues kthyer ndaj tifozëve shqiptare duke u bërë shenjë të heshtnin.

Kjo solli reagimin fillimisht të Hysajt dhe Hoxhës që u përplasën me të, duke krijuar konfuzion në fushë, ndërsa trajneri i Izraelit, Gal Kohen, e zëvendësoi menjëherë futbollistin. “Unë e mirëkuptoj Oskar. M’u desh ta hiqja nga fusha në mënyrë që situata të mos përshkallëzohej. Jam i lumtur për të se është një nga lojtarët tanë kryesorë”, tha trajneri për vendimin për të zëvendësuar futbollistin.
Ndërkohë, vetë futbollisti as nuk është qetësuar pas ndeshjes e përkundrazi, ka treguar se ka vepruar me vetëdije të plotë, duke i qëndruar atij veprimi që bëri në fushë ndaj tifozëve shqiptarë.
“Nuk mund ta lija të kalonte, na vërshëllyen gjatë himnit. Isha i ndezur që në fillim të ndeshjes. Emocionet dhe goli më çuan drejt saj dhe nuk jam penduar. Shokët e skuadrës më mbrojtën më së miri, jam i lumtur më shumë për këtë se çdo gjë tjetër. I dua secilin prej tyre sepse më mbrojtën.
Lojtarët shqiptarë? Nuk më intereson. Unë lashë fushën e lojës më pas se nuk desha që të më dëmtonin. Jam i lumtur që i solla krenari njerëzve tanë”, tha futbollisti izraelit.
Ndeshja në Tiranë ishte e vetmja miqësore në qershor për Izraelin, pasi Shqipëria ishte e vetmja që pranoi të luante me të. Të gjithë përfaqësueset e tjera europiane e kanë shmangur ekipin i cili për shkak të situatës së luftës, është përballur me kontestime dhe udhëton gjithmonë në kushte ekstreme sigurie. Për më tepër, shumë prej tifozëve të përfaqësueseve europiane kanë kërkuar që të bojkotohen edhe ndeshjet zyrtare me Izraelin. Dhe “bamirësinë” që vendosi të bënte FSHF në nëj situatë të tillë, e shpërbleu më së miri Gloukh me gjestin e tij ndaj tifozëve shqiptarë në fushën e lojës…
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













