Stërvitje sekrete dhe pikëpyetje te Gjermania, “panzerat” zbarkojnë në SHBA
Nuk pati ndonjë pritje madhështore kur kombëtarja gjermane mbërriti të martën në hotelin e saj për pjesën e dytë të përgatitjeve për Kupën e Botës.

Rreth dy duzina njerëzish u ndalën për të parë teksa dy autobusët ndaluan përpara hotelit në orën 17:50 sipas kohës lokale. Të paktën një vajzë, rreth shtatë vjeç, tregoi mbështetjen e saj për Gjermaninë me një flamur të pikturuar me dorë. Grupi i vogël tërhoqi vëmendjen vetëm të lojtarëve Niko Shloterbek dhe Aleksander Nubel. Mbrojtësi i Dortmundit dhe portieri i Shtutgartit nuk hynë menjëherë në hotel si pjesa tjetër e delegacionit, por me dëshirë plotësuan kërkesat e pakta për autografe.
Drejtori sportiv Rudi Fëler ishte i pari që zbriti nga autobusi, ndërsa Julian Nagelsman i fundit. Menjëherë pas mbërritjes, ekipi u nis për një shëtitje drejt brigjeve të Liqenit Miçigan. Gati dy orë e gjysmë iu deshën delegacionit të trajnerit Julian Nagelsman nga ulja në aeroportin ndërkombëtar deri te regjistrimi në hotel, pavarësisht procedurave të thjeshtuara të hyrjes.
Kjo ishte një shije e parë e sfidave të udhëtimit që turneu gjigant (11 qershor – 19 korrik) do tu sjell secilit prej 48 pjesëmarrësve. Pas një fillimi më të qetë të javës dhe udhëtimit të gjatë, Nagelsman planifikon të rrisë ritmin me dy seanca stërvitore plotësisht të mbyllura për publikun të mërkurën dhe të enjten.
Sulmuesi i Arsenalit, Kai Havertz, do t’i bashkohet gjithashtu ekipit, pasi udhëtoi drejt kampit menjëherë pas humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve. Me ardhjen e tij, kompletohet skuadra prej 26 lojtarësh. Të premten do të zhvillohet stërvitja e fundit para provës gjenerale të së shtunës (ora 20:30 sipas kohës së Evropës Qendrore) në stadiumin Soldier Field kundër organizatorit të Kupës së Botës, SHBA.
Më së voni atëherë, Nagelsman do të duhet të zbulojë nëse Manuel Nojer, kampioni i botës që ai e riktheu në kombëtare, është rikuperuar nga problemet e vazhdueshme në pulpë dhe është gati të rikthehet në portën e ekipit të Gjermanisë.
Për drejtorin sportiv Rudi Fëler, udhëtimi në Çikago është një rikthim i veçantë. Gjatë Kupës së Botës 1994, metropoli elegant ishte baza e kombëtares gjermane dhe, në ndeshjen e fazës së 1/8 kundër Belgjikës (3-2), ish sulmuesi shënoi dy golat e tij të fundit me fanellën e Gjermanisë në “Qytetin e Erërave”, në moshën 34 vjeçare.
KLAJDI BAJO – PANORAMASPORT.AL













