Lushaku: Kemi oferta por dua të rinovoj, ky duhet të jetë viti i Tërbunit
Sezoni 2026-2027 do të jetë i katërti radhazi për Tërbunin në Kategorinë e Dytë, një realitet që tifozëria pukjane nuk e ka pritur aspak mirë. Në dy vitet e fundit është folur vazhdimisht për një privatizim të mundshëm të klubit, por deri tani nuk ka asgjë konkrete.

Prej kohësh qarkullojnë zëra se Bashkia Pukë është në bisedime me një biznesmen vendas, si dhe me një investitor italian, për të gjetur një zgjidhje që do t’i japë një tjetër drejtim klubit. Burime pranë ekipit bëjnë me dije se muaji qershor mund të jetë vendimtar për këtë proces. Ndërkohë, disa prej futbollistëve aktualë kanë vendosur t’i qëndrojnë besnikë fanellës së Tërbunit.
Njëri prej tyre është mesfushori Klevis Lushaku, i cili në fazën e dytë të sezonit nuk mundi të luante për shkak të një operacioni në gjurin e djathtë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Lushaku u shpreh: “Ndjehem shumë mirë tani dhe jam në formën e duhur. Po stërvitem çdo ditë me disa shokë të mi që kanë qenë pjesë e ekipit të Teutës. Më vjen keq që Tërbuni nuk arriti të realizonte objektivin e ngjitjes në Kategorinë e Parë, por besoj se gjërat mund të ndryshojnë.
Shpresoj që klubi të gjejë një sponsor të fortë, i cili ta ndihmojë Tërbunin të rikthehet aty ku e meriton. Për sa më përket mua, do të ulem së shpejti me drejtuesit për të diskutuar rinovimin e kontratës edhe për një sezon tjetër. Tërbuni është një klub me traditë, që ka luajtur për shumë vite në Kategorinë e Parë dhe madje ka qenë edhe pjesë e elitës së futbollit shqiptar.
Mendoj se drejtuesit duhet të afrojnë futbollistë cilësorë, por pa prishur grupin aktual. Shumë lojtarë kanë oferta nga klube të tjera dhe njëri prej tyre jam edhe unë. Megjithatë, dëshira ime është të vazhdoj me Tërbunin. Kam besim te kryetari i Bashkisë se do të bëjë diçka konkrete për klubin dhe për ta rikthyer në nivelet që meriton. Besoj se sezoni i ardhshëm mund të jetë viti i Tërbunit. Në fund, dua të falënderoj tifozërinë e mrekullueshme pukjane për mbështetjen e vazhdueshme. Ata meritojnë respekt maksimal”.
GANI PEMA – PANORAMASPORT.AL













