Ana e errët e legjendës Shumaker, rrëfimi i Rosberg: Më detyronte të bëja nevojat personale në një kovë
Nuk është e lehtë të ishe shoku i skuadrës së Mikael Shumakerit. Këtë e di më së miri Niko Rosberg, i cili në podkastin “High Performance” tregoi disa episode nga periudha kur garoi për Mercedesin (2010-2012) përkrah legjendës gjermane.

Rosberg e përshkroi Shumakerin si një “luftëtar mendor”, që sipas tij jetonte për të ushtruar presion psikologjik ndaj shokëve të ekipit. “Ai jetonte dhe merrte frymë për ta shkatërruar mendërisht shokun e skuadrës. Jo në mënyrë të keqe, por duke shfrytëzuar çdo zonë gri të mundshme, çdo ditë. Për të ishte krejtësisht natyrale. Nuk kishte nevojë të përpiqej, ishte pjesë e stilit të tij të jetesës”, u shpreh Rosberg.
PARKIMI – Ish-kampioni i botës kujtoi disa episode që, sipas tij, ishin pjesë e strategjisë së Shumakerit për të fituar avantazh psikologjik. “Kur mbërrinim në pistë, secili pilot kishte vetëm një vend parkimi pranë garazhit, ndërsa të gjithë të tjerët duhej të parkonin shumë larg. Mikaeli e vendoste makinën paksa brenda hapësirës sime, me dy rrota përtej vijës së bardhë, duke ma bërë të pamundur parkimin. Kjo më vononte dhe përfundoja me vonesë në mbledhjet me inxhinierët”, tregon Rosberg.
Ai shtoi se situata bëhej veçanërisht e sikletshme kur dhjetëra persona nga pista dhe fabrika prisnin fillimin e takimit. “Është gjëja më e keqe të hysh një minutë me vonesë dhe të dëgjosh: ‘Po presim vetëm Nikon’. Ishte vërtet e tmerrshme”.
BANJA E ZËNË – Një tjetër histori e pazakontë lidhet me kualifikueset e Çmimit të Madh të Monakos. Sipas Rosbergut, Shumaker mbyllej me çelës në të vetmen banjë që kishin pilotët, pikërisht para se ata të hipnin në makinë. “Gjëja e fundit që bën si pilot është të shkosh në tualet para se të futesh në makinë. Ai hynte në banjë dhe rrinte aty duke parë orën. Koha kalonte dhe unë stresohesha gjithnjë e më shumë”, kujton ish-piloti. Rosberg shpjegoi se para nisjes pilotët duhet të rregullojnë me kujdes rripat e sigurisë, ndaj çdo stres shtesë është i padëshirueshëm.
“Trokitja në derë nuk ndihmonte. I lutesha të dilte, por ai nuk përgjigjej. Në fund më duhej të gjeja një kovë në pjesën e pasme të garazhit për të bërë nevojat. Kjo ndodhte vazhdimisht dhe atij i pëlqente”.
INJORIM TOTAL – Rosberg pranoi se në atë kohë ishte shumë i ri për t’u përballur drejtpërdrejt me Shumakerin. “Sot do t’i thosha të ndalonte me ato lojëra. Do ta shikoja në sy dhe do t’i thosha: ‘Mikael, mjaft me këto budallallëqe’. Por atëherë ishte ndryshe. Ai ishte si një perëndi”.
Sipas Rosbergut, ndikimi i shtatë herë kampionit të botës ishte aq i madh, saqë sa herë hynte në një dhomë, të gjithë inxhinierët ndalonin punën dhe mbizotëronte heshtja. “Për tre vjet si shokë skuadre nuk e përmendi asnjëherë emrin tim. Uleshim përballë njëritjetrit në mbledhje me inxhinierët dhe unë thjesht nuk ekzistoja për të. Të ma përmendte emrin do të ishte një shenjë respekti. Injorimi i plotë ishte pjesë e lojës së tij psikologjike”.
Rosberg e mbylli duke thënë se Shumakeri nuk e pyeti asnjëherë për mendimin e tij apo për punën që kishte bërë në pistë. “Asnjëherë nuk tha: ‘Çfarë mendon Niko?’ apo ‘Çfarë bëri Niko këtu?’. As edhe një herë të vetme”.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













