Besëlidhja “blindon” mbrojtjen, pas Trashit e Jankut vjen një tjetër firmë në Lezhë
Besëlidhja nuk njeh pushim në merkato. Drejtuesit lezhjanë po shfrytëzojnë maksimalisht këtë periudhë për të ndërtuar sa më shpejt skuadrën që do të përfaqësojë Lezhën në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

Edhe dita e djeshme ka qenë intensive për klubin lezhjan. Përveç rinovimit të kontratave me dy titullarë të sezonit të kaluar, Besëlidhja ka zyrtarizuar edhe një përforcim të rëndësishëm në repartin e mbrojtjes. Bëhet fjalë për mbrojtësin lezhjan Patrik Fetaj, i cili rikthehet në shtëpi pas një aventure trevjeçare me Burrelin.
Klubi e zyrtarizoi afrimin e tij përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale: “Patrik Fetaj rikthehet te Besëlidhja. Mbrojtësi 28-vjeçar vesh sërish fanellën tonë pas eksperiencave me klube si Partizani, Dinamo dhe Burreli. Mirë se vjen, Fetaj”. Me këtë afrim, mbrojtja e Besëlidhjes duket thuajse e konsoliduar, duke pasur parasysh se më herët klubi ka afruar edhe Lorenc Trashin dhe Stivian Jankun. Megjithatë, merkatoja sapo ka nisur dhe në kampin lezhjan priten edhe përforcime të tjera me eksperiencë.
Sa i përket rinovimeve, drejtuesit kanë siguruar vazhdimësinë e dy futbollistëve të rëndësishëm. Ardit Hila dhe Arsid Temja do të jenë pjesë e Besëlidhjes edhe në sezonin e ri, gjë që u konfirmua nga vetë klubi me njoftimin: “Ardit Hila dhe Arsid Temja rinovojnë si pjesë e ekipit për sezonin e ri në Kategorinë e Parë”. Lëvizjet e deritanishme tregojnë qartë se Besëlidhja synon të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe të mos humbasë kohë në projektimin e sezonit të ri.
PANORAMASPORT.AL













