EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Kasës: Na dhemb titulli, Elbasani bëri sezon historik
Elbasani mbylli një nga sezonet më të mira të viteve të fundit, duke e çuar deri në fund garën për titullin kampion dhe duke siguruar një vend në kupat e Europës. Një nga futbollistët që spikati gjatë edicionit ishte Arsen Kasa, i cili la pas rolin e tij natyral në mesfushë për t’u përshtatur në repartin e mbrojtjes, aty ku dha kontribut të rëndësishëm gjatë fazës së dytë të kampionatit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kasa flet për pengun e titullit, objektivat europianë dhe pritshmëritë për sezonin e ardhshëm. Gara për vendin e parë u vendos vetëm në fund dhe diferenca me Egnatian ishte për efekt golavarazhi.

“Normalisht që ka keqardhje. Kur lufton deri në fund për titullin dhe e humbet në detaje, është e vështirë ta pranosh menjëherë. Mendoj se të gjithë ne, lojtarët, stafi dhe tifozët, do ta kemi për një kohë atë ndjesinë se mund të kishim bërë edhe pak më shumë. Ajo që të dhemb më tepër është fakti se diferenca u bë nga golavarazhi. Nuk po flasim për shumë pikë larg kreut, por për një detaj që në fund rezultoi vendimtar. Kjo tregon se sa i balancuar ishte kampionati dhe sa pranë ishim për të arritur objektivin më të madh. Gjithsesi, futbolli i ka këto dhe duhet ta pranojmë verdiktin e fushës”, u shpreh fillimisht 29- vjeçari.
SEZON POZITIV – Megjithatë, përtej zhgënjimit të momentit, vendi i dytë dhe kualifikimi në Europë janë tregues se Elbasani ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara. “Pavarësisht zhgënjimit për titullin, nuk duhet të harrojmë atë që kemi arritur. Elbasani është nënkampion i Shqipërisë dhe ka siguruar pjesëmarrjen në kupat e Europës. Kjo nuk është diçka e vogël. Në fillim të sezonit ndoshta jo shumë njerëz mendonin se do të arrinim të rivali zonim deri në fund për vendin e parë. Ne krijuam një grup shumë të fortë, punuam me përkushtim dhe treguam vazhdimësi gjatë gjithë kampionatit. Prandaj besoj se sezoni duhet vlerësuar pozitivisht. Sigurisht që kur je kaq afër titullit, gjithmonë mbetet një shije e hidhur, por duhet të jemi krenarë për atë që kemi bërë si skuadër”, vijoi më tej Arsen Kasa.
ROLI I RI – Gjatë pjesës së dytë të sezonit, Kasa u detyrua të ndryshonte pozicion, duke lënë mesfushën për t’u aktivizuar në mbrojtje. Një sakrificë që, sipas tij, u bë vetëm për interesat e skuadrës. “Për mua ishte një sezon interesant edhe në aspektin personal. Jam mesfushor nga natyra, por në pjesën e dytë të sezonit luajta si mbrojtës sa herë që ekipi kishte nevojë. Unë gjithmonë kam menduar se mbi të gjitha vjen skuadra. Kur trajneri të kërkon të luash në një pozicion tjetër, detyra jote është të japësh maksimumin. Jam munduar të bëj më të mirën time dhe shpresoj se kam ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave”, theksoi elbasanasi.
EUROPA – Tashmë vëmendja po zhvendoset te aventura europiane, ku Elbasani do të tentojë të bëjë një figurë sa më të mirë. Kasa shpreson që shorti të jetë në anën e verdhebluve, por thekson se skuadra ka ambicie për të kaluar më tej. “Tani na pret një tjetër sfidë shumë interesante. Europa është një eksperiencë që çdo futbollist dëshiron ta përjetojë dhe ne mezi po e presim. Natyrisht, shpresojmë që shorti të jetë sa më i favorshëm. E dimë që nuk jemi mes skuadrave favorite dhe se mund të përballemi me kundërshtarë të fortë, por futbolli luhet në fushë. Një short i mirë do të na jepte më shumë mundësi për të treguar vlerat tona. Ajo që mund të them është se nuk duam të shkojmë në Europë vetëm për të qenë pjesëmarrës. Duam të luajmë ndeshje të mira, të përfaqësojmë denjësisht klubin dhe futbollin shqiptar dhe, pse jo, të kalojmë të paktën një tur. Ky duhet të jetë objektivi ynë”, pohoi mesfushori.
ELBASAN KONKURUES – Pas një sezoni të suksesshëm, shumë tifozë pyesin nëse skuadra do të jetë në gjendje të ruajë të njëjtin nivel edhe në edicionin e ardhshëm. Kasa nuk ka dyshime për këtë. “Kam besim se klubi do të vazhdojë të ndërtojë një skuadër të fortë. Drejtuesit kanë treguar ambicie dhe seriozitet, ndërsa grupi aktual ka cilësi. Jam i bindur se edhe sezonin e ardhshëm Elbasani do të jetë një ekip konkurrues. Sigurisht që çdo verë sjell ndryshime, por mendoj se baza është e fortë dhe mbi të mund të ndërtohet diçka edhe më e mirë. Objektivat do të mbeten të larta dhe kjo është normale për një klub që sapo ka përfunduar kampionatin në vendin e dytë”, vijoi më tej futbollisti i verdhebluve.
MESAZHI PËR TIFOZËT – Mbështetja e tifozëve ishte një nga pikat më të forta të Elbasanit gjatë gjithë sezonit dhe mesfushori i verdhebluve nuk harron t’i falënderojë ata për rolin e tyre. “Në fund dua të falënderoj tifozët tanë. Kanë qenë pranë nesh në çdo moment, si në ditët e mira ashtu edhe në ato të vështira. Mbështetja e tyre na ka dhënë forcë gjatë gjithë sezonit. Mund të them se e kemi ndjerë praninë e tyre në çdo ndeshje dhe për këtë jemi shumë mirënjohës. Shpresoj që t’i kemi sërish pranë edhe sezonin e ardhshëm, sepse me ata në tribuna Elbasani bëhet edhe më i fortë. I falënderoj nga zemra për gjithçka që kanë bërë për skuadrën”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Arsen Kasa.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













