Shehi mes zemrës dhe detyrës: Detajet do të vendosin
Java e 25-të e kampionatit e gjen Vorën në shtëpi, ku do të presë Elbasanin këtë të shtunë në orën 13:30. Sipas kalendarit zyrtar, sfida është Elbasani–Vora, por në fazën e fundit klubet ndryshuan kahun e ndeshjes, pasi stadiumi i Vorës nuk kishte përfunduar rikonstruksionin në kohën e duhur. Për këtë përballje, një nga lojtarët që e përjeton në mënyrë të veçantë është 28-vjeçari Dajan Shehi. Elbasanasi i Vorës do të luajë kundër qytetit të tij, në një ndeshje që për të ka gjithmonë ngarkesë emocionale.

Shehi, i pazëvendësueshëm në rolin e mbrojtësit të djathtë, është aktivizuar në 22 ndeshje këtë sezon dhe konsiderohet një nga pikat kyçe të skuadrës debutuese në elitë. Ai iu bashkua Vorës kur ekipi ishte në Kategorinë e Parë, duke u shpallur kampion dhe duke kontribuar në ngjitjen historike. Me eksperiencë të mëparshme te Partizani Tirana, Vllaznia Shkodër, Teuta Durrës, Skënderbeu Korçë, Kastrioti Krujë dhe një eksperiencë në Kosovë me SC Gjilani, mbrojtësi ka sjellë stabilitet dhe përvojë në radhët e Vorës.
\Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shehi u shpreh: “Është një ndeshje e vështirë, ashtu siç kanë qenë edhe dy përballjet e mëparshme mes nesh. Mendoj se vetëm detajet do të bëjnë diferencën. Kërkohet qetësi dhe përqendrim maksimal. Duhet ta shfrytëzojmë faktin që luajmë në fushën tonë dhe të mos biem pre e emocioneve.
Çelësi do të jetë organizimi në mesfushë, mbrojtja e kujdesshme dhe shfrytëzimi i rasteve që do të krijojmë. Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur për t’u luajtur, por e vështirë për t’u përballuar. Si gjithmonë, Vora hyn në fushë për të fituar dhe kjo sfidë nuk bën përjashtim. Kam besim se do të dalim me një rezultat pozitiv nga kjo përballje e tretë mes nesh”. Takimi pritet të jetë një duel i fortë dhe taktik, ku emocionet, eksperienca dhe përqendrimi do të luajnë rol vendimtar. Për Vorën është një tjetër provë force në sezonin e saj debutues, ndërsa për Shehin një sfidë mes zemrës dhe detyrës.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













