Sfida me kampionët e Egnatias, Ilir Dajës i realizohet dëshira

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2025 | 19:25

Sfida me kampionët e Egnatias, Ilir Dajës i realizohet dëshira

Dinamo do të luajë të dielën kundër Egnatias në stadiumin “Air Albania”, aty ku sigurisht që do të synojë që të krijojë vazhdimësi me rezultatet pozitive.

Ilir Daja

Dy fitoret e fundit me Tiranën dhe Flamurtarin, kanë rritur besimin në kampin blu, por Dajën përveç formës sportive, e kënaq edhe gjendja shëndetësore e lojtarëve që këtë sezon, kanë vuajtur jo pak nga dëmtimet e ndryshme, apo edhe kartonët e kuq që në fakt, deri në javën e 10 kanë qenë plot 5 të tillë, e në vazhdim nuk ka pasur më ndëshkime.

Sa i përket dëmtimeve të fundit, infermieria e Dinamos i ka dhënë lajme të mira trajnerit Ilir Daja. Bernard Berisha prej ditësh është bashkuar me grupin dhe pritet që të jetë i gatshëm për ndeshjen e së dielës. Veç Berishës, të gatshëm në formën më të mirë janë edhe Bruno Dita dhe mesfushori Klevi Qefalija që në ndeshjen e fundit ishte autori i golit të dytë për skuadrën e tij.

Ashtu siç tashmë dihet, mungesa e vetme është ajo e Alijit por alternativat në prapavijë janë të shumta dhe Dinamo është një nga skuadrat që po pëson më së paku deri në këtë pikë të kampionatit. Vetë Daja pas ndeshjes ndaj Flamurtarit, ia dedikoi fitoren Alijit dhe tha pas fitores se me rikthimin e të gjithë lojtarëve, do të ketë një kontingjent më të madh dhe do të shtohet kualiteti në skuadër. Kështu, ndaj kampionëve do të ketë mundësi të mëdha për të zgjedhur lojtarë që do të aktivizojë.

MUNGESAT- Dy ndeshjet e fundit kanë qenë ndoshta më të vështirat për Dinamon në aspektin e mungesave, duke qenë se veç Berishës e Alijit që diheshin, u shtuan edhe dëmtimet e Bruno Ditës dhe Qefalisë. Dita ishte me shqetësime në pulpë dhe vetëm ndaj Egnatias pritet të jetë në 100% e tij, ndërsa Qefalija kishte ngarkesë dhe stafi teknik nuk rrezikuan për t’i dhënë minuta që mund ta çonin dëmtimin e tij në një tjetër shkallë. Kështu, me 4 lojtarë më pak se në ndeshjet e tjera, Dinamo diti të bënte mirë në të dyja sfidat, madje me goleada.

PANORAMASPORT.AL