Saka beson tek Anglia: Jemi skuadra më e mirë në Botëror, duhet ta përçojmë këtë energji ndaj Norvegjisë
Bukajo Saka dhe Niko O’Rejlli duket sikur kanë lexuar të njëjtin skenar. Të pyetur nga gazetarët argjentinas se cila është skuadra më e mirë e këtij Botërori, të dy lojtarët e Anglisë dhanë të njëjtën përgjigje pa u menduar gjatë: “Anglia”.
Një deklaratë që tregon besimin e madh që ka pushtuar dhomën e zhveshjes së “Tre Luanëve” pas fitores së madhe ndaj Meksikës. Anglia kaloi një provë të vështirë në një ndeshje ku u desh të luftonte deri në fund, por triumfi në tokën meksikane ka rritur ndjeshëm moralin e skuadrës së Tomas Tuhelit. Tani radha është e Norvegjisë, një kundërshtar që sjell një kërcënim të madh me emrin Erling Haland. Përballja në Majami nuk do të jetë vetëm një duel për një vend në gjysmëfinale, por edhe një betejë mes disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror. Saka: Duhet ta marrim këtë shpirt me vete Bukajo Saka është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Anglisë në këtë turne.
Pavarësisht problemeve fizike që e shoqëruan para Botërorit, sulmuesi i Arsenalit ka dhënë kontribut të rëndësishëm, duke regjistruar tre asistime, përfshirë edhe atë për golin e parë të Jude Bellinghamit ndaj Meksikës. “100%, fitorja ndaj Meksikës na ka afruar më shumë si grup. Atmosfera është shumë e mirë dhe u bë edhe më e fortë pas asaj ndeshjeje. Të gjithë dhanë kontributin e tyre dhe ishte një natë fantastike për ne. Duhet ta marrim këtë shpirt në ndeshjen ndaj Norvegjisë”, tha Saka.
Ai pranon se nuk mbërriti në Botëror në gjendjen ideale, por tashmë ndihet gati për sfidat vendimtare. “Do të doja të vija 100% të gatshëm, por nuk ishte kështu. Stafi më ka menaxhuar në mënyrën më të mirë dhe tani ndihem shumë mirë. Jam gati”, u shpreh ylli anglez. O’Rejlli: Haland është Haland Niko O’Rejlli, një tjetër lojtar i Anglisë, nuk e fsheh respektin për sulmuesin norvegjez.
Haland ka shënuar 62 gola në 54 ndeshje me kombëtaren dhe mbetet kërcënimi kryesor për mbrojtjen angleze. “Erling është Erling. Të gjithë e dimë se çfarë lojtari është. Ai shënon gola, është shumë i rrezikshëm në zonë dhe një kërcënim i madh. Por ata duhet të marrin topin deri tek ai më parë”, deklaroi mbrojtësi.
PANORAMASPORT.AL













