Solbaken ka një plan të qartë, Tuhel ende i pavendosur! Si pritet të rreshtohen sonte Norvegjia dhe Anglia
Ndërsa vëmendja para ndeshjes Angli–Norvegji do të përqendrohet te Herri Kejn dhe Erling Haland, këta dy sulmues nuk përbëjnë asnjë mister. Ata do të luajnë. Dhe me shumë mundësi do të shënojnë. Një vendim më i ndërlikuar për të dy trajnerët, Tomas Tuhel dhe Stale Solbaken, është zgjedhja e lojtarëve që do të aktivizojnë në krahët e sulmit.

Asnjëra nga skuadrat nuk ka arritur të mbyllë një ndeshje këtë verë me të njëjtët anësorë me të cilët e nisi. Anglia ka përdorur Entoni Gordon dhe Markus Rashford në krahun e majtë, ndërsa dyshja e Arsenalit, Noni Madueke dhe Bukajo Saka, kanë mbuluar krahun e djathtë.
“Të katër anësorët po konkurrojnë me njëri-tjetrin në nivelin më të lartë”, tha Tuhel pas ndeshjes së parë ndaj Kroacisë. Me asnjë prej katër lojtarëve që nuk ka luajtur më shumë se 57% të minutave të mundshme në Botëror dhe asnjë që nuk ka nisur më shumë se tre nga pesë ndeshjet, konkurrenca është shumë e fortë.
Tuhel duket ende i pavendosur për dyshen e tij të preferuar. Ai ka provuar pesë nga gjashtë kombinimet e mundshme, ndërsa Gordon dhe Rashford logjikisht nuk janë përdorur së bashku, pasi të dy preferojnë krahun e majtë. Vendimet e trajnerit gjatë ndeshjes mund të jenë ndikuar nga rezultati, por ai i ka zëvendësuar anësorët e tij gjithnjë e më herët në çdo ndeshje. Kartoni i kuq i Zharell Kuansah ndaj Meksikës ndikoi edhe në këtë aspekt. Saka u zëvendësua pak pas përjashtimit të mbrojtësit në minutën e 54- t, duke bërë që Anglia të luante pa anësorë.
Megjithatë, është shfaqur një model. Në secilën nga tri ndeshjet e fundit të Anglisë, anësorët titullarë kanë qenë dy lojtarët që kishin përfunduar ndeshjen paraardhëse. Zgjedhjet mund të jenë ndikuar edhe nga mënyra e lojës që Tuhel ka kërkuar ndaj kundërshtarëve të ndryshëm. Entoni Gordon kryeson skuadrën angleze për gjatësinë mesatare të avancimit me top në Botëror, me 14.9 metra, ndërsa Madueke është i pari për distancën totale të përshkuar me top për 90 minuta, me 255.8 metra. Rashford është anësori anglez me më shumë aksione ku ka avancuar të paktën pesë metra dhe më pas ka përfunduar me goditje, duke shënuar edhe një gol ndaj Kroacisë.
NORVEGJIA – Vetëm dy lojtarë në turne kanë krijuar më shumë gola pas aksioneve me top sesa Bukajo Saka, dhe njëri prej tyre është anësori i Norvegjisë, Andreas Shjelderup. Starti i vetëm i Shjelderup erdhi kur Solbaken bëri 10 ndryshime në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Francës. Pas dy asistimeve për Halandin në fitoren ndaj Brazilit, 22- vjeçari mund të jetë pjesë e formacionit titullar kundër Anglisë. Por Solbaken ka qenë shumë më i strukturuar se Tuhel në përdorimin e anësorëve. Dyshja Antonio Nusa dhe Aleksandër Sorloth ka nisur tre nga katër ndeshjet e konsideruara si më të rëndësishmet, ndërsa Shjelderup dhe Oskar Bob kanë përfunduar secilën prej tyre.
Të katër asistimet e dhëna nga këta lojtarë kanë ardhur nga krahu i majtë, ndaj do të jetë shumë e rëndësishme që mbrojtësi i djathtë i Anglisë të ndërpresë furnizimin me topa drejt Halandit. Për mbrojtjen norvegjeze, detyra për të ndalur rrezikun nga krahët është më komplekse, edhe pse objektivi mbetet i njëjtë: të ndalojnë një nga sulmuesit më të mirë në botë. Kejn dhe Haland pritet të marrin titujt kryesorë, por suksesi i anësorëve mund të vendosë fatin e kësaj sfide historike.
PANORAMASPORT.AL













