EKSKLUZIVE/ Ndizet merkato e vajzave, kapitenia e Partizanit bashkohet me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2026 | 8:56

EKSKLUZIVE/ Ndizet merkato e vajzave, kapitenia e Partizanit bashkohet me bardheblutë

Basketbolli shqiptar po bëhet gradualisht gati për edicionin e ri, me ekipet që po lëvizin në merkato, mes konfirmimeve dhe afrimeve të reja. Gazeta “Panorama Sport” mëson një prej lëvizjeve më të bujshme në radhët e vajzave.lalaj

 

 

Ornela Lalaj, kapitenia e Partizanit dhe një prej basketbollisteve më të mira shqiptare në qarkullim, për sezonin 2026- 2027 do të jetë pjesë e Tiranës. 32-vjeçarja korçare ka arritur marrëveshjen me klubin bardheblu dhe tashmë është gati për aventurën e re në spondën tjetër të kryeqytetit. Ky mund të konsiderohet pa frikë si transferimi më i madh i kësaj vere, pasi bëhet fjalë për një lojtare “top” për kampionatin shqiptar. Një basketbollisti që rrit ndjeshëm kualitetin te Tirana, si në aspektin teknik gjithashtu edhe në atë karakterial, duke sjellë cilësi dhe eksperiencë në ekip.

Lalaj spikati edhe në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla, aktivitet i zhvilluar në qershor në Kosovë. Ajo udhëhoqi Shqipërinë në fitimin e medaljes së argjendit, duke u përzgjedhur edhe në formacionin më të mirë të kompeticionit. Tashmë mungon vetëm zyrtarizmi, i cili pritet të vijë së shpejti, por Ornela Lalaj mund të konsiderohet lojtarja më e re e Tiranës. Por, përveç kapitenes, bardheblutë u kanë marrë edhe një tjetër lojtare rivaleve të Partizanit. Me Tiranën është bashkuar gjithashtu edhe Ketjona Fekollari, tjetër element i rëndësishëm dhe pjesë e ekipit Kombëtar.

RINOVIMET Ndërkohë, skuadra bardheblu vijon gjithashtu edhe me rinovimet e kontratave. Kryeqytetaset që kanë njoftuar zgjatjen e kontratës së Enisa Qosjes, një prej lojtareve kryesore të skuadrës. Basketbollistja elbasanase është pjesë e Tiranës prej disa sezonesh dhe konsiderohet si një prej pikave më të forta të grupit vendor. Disa ditë më parë Tirana njoftoi gjithashtu edhe rinovimin me Izabel Kaçorrin, një prej lojtareve më të talentuara që kanë dalë nga akademia, e cila është pjesë e ekipit të parë. Kështu, mes afrimeve dhe rinovimeve, bardheblutë e trajneres Mirza Alibegaj kërkojnë të ndërtojnë një ekip pretendent për të synuar çdo trofe në sezonin e ri.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL