Partizani në udhëkryq, trajneri Bratu merr në dorë merkaton. Ja plani i klubit të kuq
Largimi i Agim Ibrahimit nga Partizani ka trazuar jo pak ujërat te të kuqtë. Dorëheqja ka nxjerrë në pah përplasjet “brenda llojit” që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë te “Demat”.
Edhe më parë është folur për përplasje ku e kanë pësuar drejtues, trajnerë dhe lojtarë. Kjo histori ka vazhduar sërish me të kuqtë që nuk gjejnë qetësi pas titullit të 2023-shit. Një gjendje që duhet të ndryshojë pasi kryeqytetasit nuk e kanë më luksin të jenë pa Europë dhe trofe.
ZËVENDËSUESI I IBRAHIMIT – Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, Partizani duket se ka dy opsione për zëvendësimin e tij. Së pari, një ish-drejtor i mëparshëm, por që nuk pëlqehet nga rrymat brenda skuadrës. Opsioni i dytë mbetet ai i një drejtori të huaj. Trajneri Florin Bratu ka kërkuar që ta bëjë ai merkaton dhe të mbajë përgjegjësi për çdo lëvizje. Për këtë ai ka propozuar edhe një emër për drejtor që vjen nga Rumania. Duket se ky është opsioni më i pranueshëm nga ana e presidentit Gazmend Demi dhe që do të vihet në zbatim. Kërkesa për tërheqjen e dorëheqjes nga ana e Agim Ibrahimit, duket se ka qenë vetëm një taktikë që të merret kohë për gjendjen e zëvendësuesit.
FILOZOFIA “BABY” PARTIZANI – Ndryshimet e fundit tregojnë një fakt shumë interesant. Të kuqtë do të bazohen tek akademia. Skuadra do të jetë e gjitha shqiptare dhe të huajt do të jenë cilësorë. Jo më kot Partizani po bën përpjekje për të afruar të rinj nga gjithë Shqipëria. Nga të kuqtë e kryeqytetit janë larguar Kontreras, Qaka, Shabani, Martinez, Iskandarli, Hoxha, Bytyçi dhe Sembene. Shumica e tyre titullarë te skuadra e kuqe.
PANORAMASPORT.AL













