EKSKLUZIVE/ Kategoria e Parë, peng i stadiumeve! FSHF shtyn hedhjen e shortit për sezonin 2026-2027

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2026 | 13:06

EKSKLUZIVE/ Kategoria e Parë, peng i stadiumeve! FSHF shtyn hedhjen e shortit për sezonin 2026-2027

FSHF hedh shortin e Superiores, por Kategoria e Parë mbetet në pritje. Licencimi i stadiumeve pengon publikimin e kalendarit, disa klube ende pa një impiant të miratuar. Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë të hënën, më 13 korrik, ceremoninë e hedhjes së shortit për kalendarin e sezonit të ri të kampionatit “Abissnet Superiore” 2026-2027.

kategoria-e-pare-1

Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit të Komunikimit, ceremonia do të zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, duke nisur nga ora 11:00, ku do të përcaktohet kalendari i edicionit të 88- të të elitës së futbollit shqiptar. Megjithatë, në njoftimin e FSHF-së nuk ka asnjë referencë për hedhjen e shortit të Kategorisë së Parë, kampionat që është parashikuar të nisë më 5 shtator.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se shorti i Kategorisë së Parë nuk do të hidhet për momentin. Shkaku kryesor lidhet me procesin e licencimit të stadiumeve, pasi ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet infrastrukturore për zhvillimin normal të kampionatit. Federata u ka lënë detyra të qarta klubeve organizatore për përmirësimin e impianteve sportive, por jo të gjitha janë në gjendje t’i përmbushin brenda afateve. Disa skuadra nuk disponojnë stadiume që plotësojnë kriteret e licencimit, ndërsa të tjera janë të detyruara të ndajnë të njëjtin impiant. Një nga rastet më të veçanta është stadiumi “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, ku si skuadra pritëse zhvillojnë ndeshjet si Iliria, ashtu edhe Kastrioti.

Ndërkohë, Besa vazhdon prej disa sezonesh të jetë pa stadiumin e saj në Kavajë. Edhe pse projekti për rindërtimin e impiantit është miratuar, punimet ende nuk kanë nisur. Drejtuesit kavajas po bëjnë përpjekje për të licencuar aneksin stërvitor, të njohur si “Fusha e Vjetër”, me synimin për të zhvilluar aty ndeshjet si pritës dhe për të shmangur zhvendosjen në stadiume të tjera, siç ka ndodhur në sezonet e fundit me impiantin e Luzit. Situata kërkon zgjidhje edhe për tre skuadrat e promovuara nga Kategoria e Dytë. Oriku, Besëlidhja dhe Sopoti kanë marrë detyra konkrete nga FSHF-ja për të plotësuar standardet e kërkuara dhe për të licencuar stadiumet e tyre për sezonin e ri.

Pikërisht për këtë arsye, Federata nuk pritet të hedhë shortin e Kategorisë së Parë pa u mbyllur fillimisht procesi i licencimit të impianteve ku 12 skuadrat pjesëmarrëse do të zhvillojnë ndeshjet si pritëse. Vetëm pasi të jenë përcaktuar zyrtarisht stadiumet e licencuara, do të caktohet edhe data e hedhjes së kalendarit për sezonin 2026-2027.

46

PANORAMASPORT.AL