Ruçi paralajmëron: Me këmbë në tokë, çdo ndeshje hyjmë për fitore
Vora po vijon stërvitjet rregullisht pavarësisht kushteve në një mot të lagësht e me shira. Të gjithë janë të preokupuar për të nxjerrë më të mirën nga vetja gjatë çdo ndeshjeje.

Vorakët ishin shumë pranë marrjes së një pike ndaj durrsakëve, por kjo nuk u bë e mundur për shkak të VAR-it, megjithatë në kampin vorak është larguar çdo iluzion ndaj asaj ndeshjeje dhe skuadra kërkon që të mos shpërqendrohet nga ndeshja e radhës. Të gjithë janë duke u përpjekur për të qenë me këmbë në tokë pa emocione euforike të larta, për t’u bërë skuadër pretendente.
Vora ka zhvilluar tre ndeshje në fazën e dytë dhe ka provuar shijen e të gjithave, fitoren, barazimin dhe humbjen, por duke qenë skuadër me golaverazh më të mirë 2-1. Të gjitha ndeshjet, Vora i ka luajtur në transfertë, duke barazuar pa gola me Partizanin në “Arenën e Demave”, ka fituar kundër Tiranës bindshëm 2-0 dhe është mundur në Durrës 0-1. kjo tregon se kjo fazë për ta ka nisur mirë për objektivat që vorakët kanë në këtë sezon të parë në Superiore. Lidhur me ecurinë e Vorës dhe me objektivat e saj kapiteni i skuadrës Shkëlzen Ruçi ka folur për “Panorama Sport”.
“Skuadra jonë ka zhvilluar ndeshje shumë të bukura gjatë këtyre 12 javëve, por nuk është shpërblyer në efektin e dhënies gjatë ndeshjeve. Kemi pasur shumë probleme dëmtimesh, kartonësh si dhe padrejtësi në gjykime, megjithatë ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të pretendojmë aq sa na takon.
Atmosfera në skuadër është shumë pozitive, djemtë janë duke punuar fort çdo ditë e me besim tek njëri-tjetri. Dua të them se Vora këtë sezon ka një ekip më të fortë, më cilësor dhe më të kompletuar se kurrë më parë. Sa i përket ndeshjes kundër Flamurtarit, e dimë që do të jetë një transfertë mjaft e vështirë dhe një kundërshtar i fortë, por në fushë do të hyjmë me besim dhe përkushtim maksimal për të marrë një rezultat pozitiv. Objektivi është që të japim gjithçka gjatë 90-minutëshit e ndoshta urojmë që të kemi sa më shumë fat, për të dalë me tre pikë nga Vlora”.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













