Rrëfimi i Naim Qarrit: Ja 10 vitet e mia në krye të Kamzës
Një histori komplekse ku ndërthuren pasioni, paratë, konfikti, bashkëpunimi dhe investimi. Këtë nëntor, presidenti i Kamzës, Naim Qarri, feston 10-vjetorin në krye të klubit që e futi në histori pesë vite më parë duke e ngjitur për herë të parë në elitën e futbollit.
Ky sezon ka nisur në mënyrë të përsosur për skuadrën që numëron nëntë fitore në po kaq ndeshje dhe duket se rikthimi në Superiore është afër. Qarri rrëfen gjithçka në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”.

Keni 10 vite në krye të Kamzës, në një kohë që e ngjitët ekipin në Superiore 5 vjet më parë. Si lindi pasioni për të investuar në këtë klub?
Në hapat e para të presidencës sime kam pasur një biznes dhe një pjesë të fitimit që merrja nga puna e përditshme e ndaja gjithnjë duke investuar për skuadrën. Të luash futboll është e lehtë, por të mbash gjallë futbollin është mjaft e vështirë kur investimi bëhet direkt nga xhepi i familjes.
Në shumë raste kam pasur edhe ndihmën e shokëve të mi kolegë, kur kam kaluar probleme financiare, por edhe bashkëpunimi me bashkinë e Kamzës ka qenë i frytshëm dhe i suksesshëm, sidomos në sezonin 2011-2012 kur ne konkurruam për herë të parë në elitë.
Vështirësitë më të mëdha që keni hasur gjatë këtyre 10 viteve?
Siç kemi pasur momente të mira gjatë periudhës 10-vjeçare, në këtë rrugëtim ka edhe periudha të vështira. Një prej viteve më negative mund të cilësoj sezonin 2012-2013, kur skuadra zbriti nga Superiorja dhe u detyruam të luanim jashtë stadiumit të Kamzës.
Dyshja Qarri-Mziu ka pasur suksese historike, por edhe përplasje. Si është sot ky bashkëpunim mes jush dhe kryebashkakut të Kamzës?
Sigurisht, edhe me vëllanë asnjëherë gjërat nuk shkojnë vaj, por ka edhe momente grindjeje. Ato kanë qenë për të mirën e punës, por tashmë çdo gjë është sheshuar dhe ka disa kohë që bashkëpunimi ynë është tej normales ku me sinqeritet kemi marrëdhënie të shkëlqyera për të vënë në jetë një objektiv që ne e kemi premtuar, rikthimin e ekipit në Superiore. Bashkia është në rregull me pjesën që i takon asaj, po ashtu edhe ne jemi korrektë për pjesën tonë.
Nga bashkëpunimi mes nesh synojmë të rikonstruktojmë thuajse tërësisht stadiumin aktual. Në projekt është edhe tapeti i ri i fushës si dhe ndriçimi i stadiumit, që Kamzës së Superiores të mos i mungojë asgjë.

Si arritët të ndërtonit një ekip ku në nëntë ndeshje ka arritur po kaq fitore, diçka e rrallë në Shqipëri?
Sigurisht që të konkurrosh në Kategorinë e Parë duhet të kesh një skuadër me lojtarë cilësorë, aq më tepër kur pretendon për një kategori më lart. Kështu që ne arritëm ta ndërtonim ekipin në sajë të bashkëpunimit të ngushtë edhe me bashkinë e Kamzës, kryebashkiakun Xhelal Mziu. Kemi rreth një vit e gjysmë që përpiqemi për ta ndërtuar këtë ekip që kemi sot. Nëse sezonin e kaluar dështuam, e realizuam tani dhe jemi në rrugën e duhur.

Ndonjë premtim për lojtarët apo trajnerin nëse arrijnë ta rikthejnë skuadrën në Superiore?
Garancitë që ata kanë nënshkruar në kontratat e tyre për këtë sezon, në mënyrë që të kryejnë detyrat që u takojnë dhe ne do të kryejmë detyrat tona. Sigurisht që për suksesin që do të arrijë ekipi ynë do të ketë shpërblim të veçantë për të gjithë lojtarët pa përjashtim, por një premio super të veçantë do të ketë për trajnerin Devolli. Tifozëve u premtojmë që sezonin e ardhshëm do të shohin skuadrën e tyre në 10 më të mirat e Shqipërisë dhe kërkojmë vetëm mbështetjen maksimale nga ata.
Keni menduar ndonjëherë të tërhiqeni nga Kamza dhe futbolli?
Naim Qarri do ta mbështesë ekipin e Kamzës për sa kohë të kem frymë e të jetoj mbi dhe. Edhe nëse do të më shterojnë të ardhurat, unë do të mundohem të ndaj bukën e gojës me ekipin. Edhe kur të mbetem pa asnjë kacidhe, do të jem pranë tyre me zemër dhe me shpirt.

10 vite përplasje dhe “dashuri”
Në historinë 80-vjeçare të klubit të Kamzës, 10 vitet e presidencës së Naim Qarrit janë më të suksesshmet. Ekipi u ngjit për herë të parë në Superiore në sezonin 2011-2012, por qëndroi vetëm një vit. Qarri e mori drejtimin e skuadrës në nëntor të 2006-ës dhe megjithëse ekipi kishte vetëm katër pikë në pesë ndeshje, në fund e mbylli me 17 fitore radhazi dhe një biletë për në elitë.
Në edicionet 2007-’08, 2008-’09, 2009-’10, Kamza në Kategorinë e Parë nuk ka synime për t’u ngjitur në Superiore. Në sezonin 2010-2011, ekipi synon elitën dhe pas një gare të shkëlqyer, siguron një biletë për t’u bërë pjesë e më të mirëve të Shqipërisë. Skuadra qëndron vetëm një vit në Superiore dhe rikthehet sërish në të Parën.
Sezoni pasardhës ishte shumë i vështirë pasi klubi mbahej vetëm me financat e Presidencës, ndërkohë që Bashkia, edhe pse ka 49% të aksioneve, nuk investonte asnjë qindarkë. Gjatë sezoneve të fundit, Qarri dhe Bashkia kanë pasur përplasje me njëri-tjetrin, në një kohë që vetëm gjatë kampionatit të kaluar u sheshua gjithçka. Tashmë, dy drejtuesit e klubit janë bashkë me synimin për ta rikthyer skuadrën në elitë.

Paradoksi që çuditi Shqipërinë
Edicioni 2012-’13 është më problematiku për Kamzën në historinë e klubit. Mosmarrëveshjet Bashki-Presidencë arrijnë të thellohen në kulmin e përçarjes. Skuadra detyrohet të luajë jashtë stadiumit të saj. Për ironi të fatit, problemi i radhës është në zemër të kryeqytetit duke treguar se është një shqetësim tejet serioz.
Është koha kur presidenti i ekipit, Qarri, deklaronte në lidhje me faktin që Bashkia nuk e lejonte ekipin të luante në stadiumin e vet. “Me shumë mund dhe sakrifica kemi arritur deri në Superiore, ndërsa tani jemi sërish në momente të vështira. Ekipi nuk lejohet nga Bashkia të luajë në stadiumin e vet. Ky mund të jetë një rast paradoksal dhe unik në botë”, deklaronte Qarri në atë kohë.
ABDULLA DUSHKU













