Risitë janë të pashmangshme, Partizani i Kërnajës ndryshon sërish. Si pritet ekipi ndaj Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2025 | 9:52

Risitë janë të pashmangshme, Partizani i Kërnajës ndryshon sërish. Si pritet ekipi ndaj Flamurtarit

Partizani duhet të sakrifikojë në mesfushë ndaj Flamurtarit, për të shkuar te një rezultat pozitiv. Kjo pasi Oltijon Kernaja duhet të bëjë pa dyshen Doumbia dhe Ismaili. Ky i fundit u ndëshkua me karton të verdhë në javën e kaluar dhe plotësoi numrin katër, që e pezullon.

PARTIZANI

Doumbia ndërkohë u dëmtua, prandaj nuk mund të japë kontributin e tij. Këto dy futbollistë po e mbanin peshën e madhe bashkë në javët e fundit, pa u lëvizur nga vendi i titullarit. Mungesë e sigurt mbetet Preka, i cili ndodhet në fazën e rikuperimit.

FORMACIONI- Në portë mbetet Qirko, që jep garanci. Para tij me shumë gjasa vendosen Atanaskoski, Janjeva, Bytyçi dhe Marku. Sembene mund të bëhet risia e Kërnajës, përpara mbrojtjes. Senegalezi është i gatshëm, por për shkak të formës së Bytyçit dhe Janjevës logjikisht nuk llogaritet për qendrën e mbrojtjes. Roli i tij para mbrojtjes është provuar edhe nga trajnerë të tjerë më parë ku me Skënder Gegën, luante rol kyç për arritjen e “Final Four”. Për të mbuluar mungesat në mesfushë, te Partizani pritet të rikthehet si titullar Mehmeti. Më pas mbetet për t’u vendosur nëse Gjergji Kote do të preferohet sërish nga minuta e parë. Para Tomës në majën e sulmit, gjasat janë që mbështetja të vijë nga Isgandarli dhe Hjumen. Gjithçka për formacionin e përmendur varet nga aktivizimi i Sembenes. Në rast se ky i fundit nuk preferohet, atëherë duhet parë për alternativën e duhur.

HERA E FUNDIT- Nga hera e fundit me Flamurtarin, që Partizani fitoi 0 me 1, ndryshimet janë të shumta dhe të pashmangshme. Titullarë e nisnin disa emra që nesër nuk projektohen nga fillimi si Çipi, Ismaili, Doumbia, Da Silva dhe Skuka. Me përjashtim të dy emrave të fundit, pjesa tjetër nuk mund të llogaritet as për stol. Kërnaja e nisi me sukses ndaj Flamurtarit dhe pse guxoi në debutimin e tij. Këtë herë është sërish koha, për të rreshtuar në fushë ata që do e dërgojnë ekipin te fitorja e tretë radhazi.

Screenshot 2025-12-13 095101

PANORAMASPORT.AL