Rikthehet Mustafa, Bylisi i Mirel Josës forcon sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2025 | 23:35

Rikthehet Mustafa, Bylisi i Mirel Josës forcon sulmin

Nuk ka pushime për ballshiotët, që po stërviten me një program enkas, të gërshetuar me ushtrime me topin, por edhe përgatitje fizike në palestrën e forcës, sipas thënies së trajnerit Mirel Josa. Bylisi tashmë është fokusuar te sfida e shtëpisë me Egnatian, takim që do të zhvillohet në fundjavën e ardhshme. Me 2 pikë në dy ndeshje, ballshiotët tashmë e shohin si domosdoshmëri marrjen e fitores me rrogozhinasit.

bylis

Një takim vendimtar në Ballsh, por Bylisi i këtij sezoni është ndryshe, ndaj edhe ambiciet janë rritur në skuadrën mallakastriotë. Trajneri Mirel Josa tashmë ka një fizionomi më të qartë në kokë për skuadrën e tij dhe po punon që grupi të përmirësohet akoma më shumë, për më tepër që janë afruar disa lojtarë që ende nuk e kanë kapur formën e tyre fizike më të mirë.

Në Ballsh, do të jenë më të plotë ndaj Egnatias, pasi në sulm do të rikthehet edhe një pikë shumë e fortë, shtatlarti Ibrahima Mustafa. Ky i fundit u ndëshkua me të kuqe në sfidën hapëse të sezonit, atë ndaj Tiranës në Ballsh, dhe për pasojë humbi edhe takimin e dytë me Flamurtarin. Mustafa është një lojtar që e njeh portën, por edhe mjaft i fortë në dyluftime, ndaj prania e tij në ofensivë, sidomos tashmë që kanë ardhur edhe Rabiu dhe Uankeuai, e ka forcuar ekipin dhe ka rritur konkurrencën në sulm, së bashku me Akibu, Hodo dhe Emini.

Pra, Bylisi ka kompletuar ofensivën dhe konkurrenca është e madhe për një vend titullari, por edhe në stol. Kujtojmë që presidenca ballshiote ka qenë në tratativa edhe me një mesfushor me eksperiencë, me të cilin parimisht kanë rënë dakord. Në një kampionat të gjatë dhe me synimet që ka Bylisi në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë, merkato ka rezultuar efikase për mallakastrotët, që krahas rritjes së grupit e kanë shtuar konkurrencën në kontingjent.

Josa dhe stafi mjekësor po punojnë dhe shpresojnë që të kenë gati edhe ata lojtarë që kanë pasur probleme dëmtimesh në javët e fundit, si Carmona, Oliveira, Emini dhe Sulovari. Ballshiotët, në rast se nuk gjejnë kundërshtar, do të kenë test brenda grupit në fundjavë, të cilin do e luajnë në “Adush Muçaj”.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL