Revolucioni i Partizanit, tetori sjell largime me peshë. Vetëm një i “mbijetuar” në staf

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2025 | 22:45

Revolucioni i Partizanit, tetori sjell largime me peshë. Vetëm një i “mbijetuar” në staf

Partizani i muajit tetor ka bërë disa ndryshime të mëdha. Gjithçka nisi me Arbër Abilaliajn dhe vazhdoi me Milinkoviçin dhe stafin e tij. I fundit që u largua ishte Luis Nabais, i cili kontribuonte si përgatitës atletik te kryeqytetasit. Një revolucion në drejtim dhe staf. Aktualisht është Oltijon Kërnaja me stafin e ekipit B, që e kanë në dorë skuadrën e parë të Partizanit.

partizani

Sfida ku do debutojnë do jetë ndaj Flamurtarit, të dielën e 19 nëntorit në Vlorë. ABILALIAJ- I vetmi që dha dorëheqjen në tetor ishte Arbër Abilaliaj. Ish-drejtori sporiv mori përgjegjësitë e tij. Dorëheqja erdhi fill pas humbjes në derbin me Tiranën, ndërsa Partizani kishte katër disfata radhazi në kampionat. Tashmë ekipi renditet i parafundit në renditjen e Superiores. Projekti me Abilaliajn nisi në qershorin e vitit 2023, kur mori vendin e Elton Marinit.

LARGIMET- Dorëheqja e Abilaliajt tronditi stafin e Partizanit. Trajneri, ndihmësit e tij dhe së fundmi përgatitësi atletik u larguan. Mladen Milinkoviç mori me veten djalin e tij, Slobodanin, si edhe Nikola Stankoviçin. Partizani po ashtu vendosi të largojë edhe përgatitësin atletik, Luis Nabais. Ky i fundit i bashkohej klubit në verën e vitit 2024. Pavarësisht entuziazmit për rinovimin këtë sezon, bashkëpunimi nga zgjati shumë. Kështu thuajse i gjithë stafi që punoi me Milinkoviçin është larguar.

I MBIJETUARI- Pavarësisht ndryshimeve të shumta, Partizani ka një të mbijetuar në staf. Bëhet fjalë për trajnerin e portierëve, Kushtrim Vokën. I lindur në Tetovë, iu besua vendi i lënë vakant nga Ilir Bozhiqi. Puna e tij filloi në qershorin e vitit 2023, kur Partizani kishte statusin e klubit kampion. Fillimisht punonte me Zoran Zekiç dhe stafin e tij. Me përjashtim të këtij sezoni, Partizani në dy të mëparshmit ka patur stabilitet në portë. 11 golat e pësuar në katër ndeshjet e fundit kanë prishur disi statistikat.

PA DREJTOR- Partizani aktualisht nuk ka një drejtor sportiv. Në fillimin e sezonit, të kuqtë kishin po ashtu Sokol Haxhian si drejtor teknik dhe Abilaliajn. Tashmë këto dy role nuk janë të mbuluar sepse Haxhia si Abilaliaj paraqiste dorëheqjen. Për largimet në fjalë, klubi nuk është nxituar që të gjejë zëvendësues.

KËRNAJA DHE STAFI I TIJ- Stafi i larguar nga Partizani në tetor është zëvendësuar me Oltijon Kërnajën, Realf Zhivanajn dhe Oriand Abazajn. Të gjithë këto emra, të cilëve u është besuar projekti për të ngjitur Partizanin B në Kategorinë e Parë. Tashmë kanë në dorë frenat e ekipit të parë. Kërnaja në rolin e trajnerit, Zhivanaj si ndihmës i tij dhe Abazaj përgatitës atletik.

LOJTARËT- Partizani ka një kontingjent me mbi 30 lojtarë tek ekipi i parë. Thuajse të gjithë mbeten në dispozicion, me përjashtim të Kekos dhe Nondit të dëmtuar, ndërsa besimi qëndron se situata do ndryshojë. Tashmë mbetet detyra e tyre në fushë, që të nxjerrin Partizanin nga zona e ftohtë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL