Redon Xhixha është “mbreti” i golit, njihuni me 10 “bomberat” më efikasë të Tiranës në dekadën e fundit
Në një klub me historinë dhe traditën e Tiranës, ku kanë kaluar disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, renditja e golashënuesve më efikasë është gjithmonë një temë me shumë peshë.
Në një analizë të detajuar që përfshin statistika konkrete, gola, ndeshje dhe minutat për gol në vitet e fundit, spikat fuqishëm emri i Redon Xhixhës, një nga sulmuesit më të frikshëm që ka “prodhuar” klubi bardheblu në dekadën e fundit. Me 32 gola të shënuar në 55 ndeshje, Xhixha kryeson bindshëm renditjen, duke realizuar një gol çdo 132 minuta, me një mesatare prej 0.58 golash për ndeshje.
Një efiçencë e jashtëzakonshme që e pozicionon atë si “bomberin” më të rrezikshëm të bardhebluve në vitet e fundit. E veçanta e kësaj renditjeje është se të gjithë lojtarët që përfshihen në “Top 10” kanë qenë pjesë e Tiranës, dhe që kanë lënë gjurmë me fanellën bardheblu. Ky fakt jo vetëm nënvizon fuqinë sulmuese që ka pasur Tirana ndër vite, por edhe kapacitetin e klubit për të prodhuar dhe afruar lojtarë me rendiment të lartë para portës.
Pas Xhixhës renditen dy emra që kanë qenë vendimtarë për sulmin e Tiranës në periudha të ndryshme. Florent Hasani dhe Majkëll Ngo, të dy me nga 29 gola, por Hasani më efikasë me një gol çdo 173 minuta (0.47 gola për ndeshje), krahasuar me 211 minuta të Ngosë. Në vendin e katërt pozicionohet Taulant Seferi, me 26 gola dhe një mesatare solide prej 0.40, ndërsa Elis Bakaj, një nga figurat më karizmatike që ka pasur Tirana në vitet e fundit, ruan vendin e pestë me 25 gola dhe një efikasitet mbresëlënës. Një gol çdo 185 minuta. Më poshtë vijnë emra si Mario Morina, Afrim Taku dhe Ernest Muçi.
Të gjithë lojtarë që kanë pasur kontribute domethënëse në vitet kur kanë mbajtur veshur fanellën bardheblu. Morina me 23 gola dhe Taku me 22, kanë shënuar më rrallë, por numri i madh i ndeshjeve që kanë zhvilluar tregon për një qëndrueshmëri të gjatë brenda klubit. Mbyllja i takon treshes Muçi, Edon Hasani, Idriz Batha, të gjithë me nga 20 gola, ku veçanërisht Muçi është një tjetër produkt i shkëlqyer i akademisë së Tiranës që tashmë po bën emër jashtë kufijve.
Kjo listë është më shumë se sa një renditje statistikash. Ajo përfaqëson trashëgiminë sulmuese të KF Tiranës, një klub që ka ditur gjithmonë të prodhojë “bombera”, të afrojë cilësi në sulm dhe të lërë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Dhe Redon Xhixha, në krye të kësaj renditjeje, është simboli më i fundit i kësaj tradite.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













