Raza paraqitet si “armik” në Pogradec: Korabi nuk kthehet në shtëpi pa pikë
Java e 25-të e kampionatit e gjen skuadrën dibrane në transfertë. Korabi do të udhëtojë drejt Pogradecit për një sfidë që pritet të jetë mjaft e vështirë, duke pasur parasysh edhe synimet madhore të skuadrës liqenore në këtë sezon.

Përballja në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” konsiderohet një nga më të fortat e kësaj jave, pasi të dy ekipet janë të përfshira në luftën për objektivat e tyre në renditje. Udhëtimi drejt Pogradecit ishte parashikuar edhe më i vështirë për dibranët, pasi pak ditë më parë segmenti rrugor Përrenjas–Librazhd ishte i bllokuar. Megjithatë, situata është normalizuar dhe rruga është bërë e kalueshme, duke zbutur disi peripecitë e skuadrës së Korabit në këtë transfertë.
Kjo sfidë ka edhe një domethënie të veçantë për 27-vjeçarin dibran Redon Raza. Mbrojtësi iu bashkua Korabit gjatë merkatos së janarit, pasi u largua pikërisht nga Pogradeci për t’u rikthyer te skuadra e vendlindjes. Për Razën, ndeshja e sotme do të jetë përballje direkte me ishshokët e ekipit dhe stafin e skuadrës liqenore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Raza ka theksuar se Korabin e pret një sfidë shumë e vështirë, por dibranët do të përpiqen të marrin një rezultat pozitiv.
“Padyshim na pret një ndeshje e vështirë, për vetë forcën e kundërshtarit që luan në fushën e tij. Pogradeci është një skuadër shumë e mirë, por ne kemi eksperiencën e duhur në mbrojtje për të ndalur sulmet e tyre. Kundërsulmi do të jetë arma jonë kryesore për të tentuar një rezultat pozitiv”, është shprehur fillimisht 27- vjeçari. Më tej, ai theksoi se Korabi e respekton kundërshtarin, por skuadra dibrane nuk udhëton drejt Pogradecit për t’u dorëzuar.
“Kam përshtypjen se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, sepse Pogradeci, për synimet që ka, e di mirë se i duhet vetëm fitorja. Por edhe ne nuk duam të kthehemi pa pikë nga kjo transfertë. I respektojmë kundërshtarët, por jo më shumë se ç’duhet. Jemi optimistë se mund të marrim maksimumin nga kjo sfidë”, u shpreh Raza. Korabi e sheh këtë përballje si një mundësi të rëndësishme për të qëndruar në garë për zonën “play off”, ndërsa për Pogradecin tre pikët janë jetike për të vazhduar presionin ndaj skuadrave të kreut. Për këtë arsye, sfida në “Gjorgji Kyçyku” pritet të jetë një duel i fortë dhe i hapur deri në minutën e fundit.
A. DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













