Rafael shton hallet te Tirana për anti-Vllazninë, ja formacioni i mundshëm i bardhebluve
Tirana do të ketë tri mungesa në sfidën që do të luhet sot në “Elbasan Arena”. Dyshes së dëmtuar Ismajli-Meta, këtë herë i shtohet edhe Rafael.
Mesfushori i ardhur në janar, dhe një nga më të mirët në fushën e lojës është i dëmtuar që në sfidën me Laçin. Sipas mjekëve, ka një tërheqje në kofshë, që nuk e lejon të stërvitet. Ai do të mungojë në këtë lojë, por rrezikon edhe takimin me Egnatian. Në vendin e tij, Shkëmbi ka menduar që të aktivizojë njërin prej Markut ose Smaçit. Korçari ka bërë disa prova, por ende nuk e ka vendosur se cili nga lojtarët do të luajë nga minuta e parë.
Me këtë gjendje që ka tani Bledi Shkëmbi, Tirana do të luajë ndaj Vllaznisë pak a shumë me të njëjtin formacion siç luajti ndaj kurbinasve në pjesën e dytë. Në portë e nis Selmani. Më pas, treshja Mici, Dembele, dhe Kola. Në mesfushë, Vera, Marku ose Smaçi, Soler dhe Përgjoni. Sulmi do të jetë një treshe klasike me Ndrecën, Zharmuni dhe Ernest. Katër lojtarë rrezikojnë te Tirana që të mos luajnë në sfidën me Egnatian. Meta, Rafael, Selmani dhe Prengaj nëse ndëshkohen me Vllazninë, nuk luajnë me rrogozhinasit.
Kalendari i bardhebluve është shumë delikat. Para pushimit të ekipit kombëtar, kryeqytetasit do të luajnë me Egnatian kryesuese dhe prandaj duhet që Vllaznia të mos diskutohet. Pas pushimit të Kombëtares, skuadra pret Bylisin, udhëton në Elbasan, dy takime që mund të kalohen pa asnjë problem. Më pas, derbi, Skënderbeu, Teuta dhe e mbyll me Dinamon në transfertë.PANORAMASPORT.AL













