Projekti i Partizanit nuk po funksionon, si erdhi largimi i Gegës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2025 | 8:42

Projekti i Partizanit nuk po funksionon, si erdhi largimi i Gegës

Dita e djeshme ka shënuar një tjetër kapitull të hidhur për Partizanin, duke sjellë largimin e trajnerit Skënder Gega.

gega

Klubi i kuq konfirmoi në mënyrë zyrtare se tekniku ka paraqitur dorëheqjen, e cila është pranuar nga presidenti Gazment Demi. Vetëm një javë pas eliminimit nga Liga e Konferencës ndaj Kaljus, dështimi rezultoi vendimtar për të ardhmen e pankinës. Kështu, mbyllet për herë të dytë aventura e Gegës me “demat e kuq”, në një periudhë që zgjati vetëm katër muaj dhe që nuk solli kthesën e madhe që pritej.

RIKTHIMI– Skënder Gega u ul sërish në stolin e Partizanit në muajin mars, pas një periudhe të gjatë larg fushave. Marrëveshja erdhi në një fazë të ndjeshme të sezonit, pasi më parë ishte shkarkuar Aleksandër Veselinoviç dhe drejtimin provizor e kishte drejtori Arbër Abilaliaj. Në atë moment, Partizani kishte humbur rrugën në kampionat dhe kishte nevojë për një profil që njihte mirë ambientin. Me profilin e një ish-trajneri kampion dhe me autoritetin e ndërtuar që në sezonin 2018-‘19, Gega u pa si figura që mund të rikthente qetësinë dhe të përgatiste terrenin për Europën. Por ishte koha, që siç ndodh thuajse gjithmonë, rezultoi kundër.

BILANCI- Në 11 ndeshjet që drejtoi, trajneri tropojan regjistroi pesë fitore, dy barazime dhe katër humbje. Bilanci i golave ishte negativ: 8 të shënuar dhe 9 të pësuar, një tregues i qartë i vështirësive që skuadra kishte. Partizani e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë, një pozicion i cili nuk ishte plotësisht dështim, por që gjithsesi nuk solli trofe. Në fazën “Final Four”, skuadra barazoi 0-0 me Egnatian në gjysmëfinale dhe u eliminua për shkak të pozicionimit në renditje. Më pas, fitorja ndaj Dinamos në finalen për vendin e tretë shërbeu vetëm si ngushëllim për një sezon që zhgënjeu tifozët. Në korrik, skuadra u përball me Kaljun në turin e parë të Ligës së Konferencës, ku nuk arriti të përmbushte as minimumin e pritshëm. Në sfidën e parë në Talin, Partizani barazoi 1-1, në një ndeshje ku kishte shenja pozitive për lojën. Megjithatë, kthimi në “Air Albania” solli një përballje më ndryshe, që në fund i rëndoi vetëm rezultati. Humbja 0 me 1 përballë një rivali që në letër ishte më i dobët u përjetua si një goditje e rëndë për ambientin. Gega ka treguar korrektësi, duke marrë përgjegjësinë dhe duke mos e zvarritur situatën. Ai largohet pa polemika nga ana e tij dhe me një qëndrim të matur, që përkon me profilin e tij. Kjo është hera e dytë që ai largohet nga Partizani me dorëheqje, pas largimit të parë në vitin 2019 menjëherë pas shpalljes kampion, asokohe për arsye personale.

SITUATA- Ky largim hap një tjetër krizë në drejtim për klubin kryeqytetas, që nuk arrin të gjejë stabilitet për pankinën. Partizani ka ndërruar trajnerë thuajse çdo sezon, duke dëshmuar një mungesë projekti afatgjatë. Rikthimi i Gegës ishte përpjekja për të rindërtuar mbi themelet e suksesit të kaluar, por realiteti i këtij edicioni ishte krejt ndryshe. Me një skuadër të mbushur me lojtarë të rinj dhe pa boshtin e përvojës, trajneri pati vështirësi për të gjetur ekuilibrat dhe për të ndërtuar një identitet loje. Partizani pati më tepër largime se afrime. Vetëm katër emra të rinj. Në këtë moment, klubi është i detyruar të nisë menjëherë kërkimin për një trajner të ri. Me kampionatin që është në prag dhe me shumë paqartësi në merkato, çdo vonesë mund të rezultojë fatale. Partizani tashmë është skuadra e vetme e Superiores pa trajner. Zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se situata është e ndërlikuar. Pritet që së shpejti të ketë lëvizje konkrete. Sfidat janë të shumta, ndërtimi i një grupi kompetitiv, integrimi sërish i elementëve të rinj nga akademia dhe sigurisht rikthimi i besimit te tifozët. Për Partizanin, ky duket si një moment reflektimi. Humbja në Europë dhe dorëheqja e trajnerit janë dy ngjarje që tregojnë se projekti aktual nuk funksionon. Rikthimi te Gega ishte edhe një zgjedhje sentimentale, e mbështetur në kujtimet e së shkuarës, por që nuk prodhoi të njëjtat rezultate.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL