Profili sipas medias kroate/ Dinamo City, kundërshtari më i çuditshëm i Hajdukut ndonjëherë
Media kroate “sportnet.hr” i ka hyrë me themeli profilit të Dinamo City, që nga themelimi si klub, trajtimi gjatë kohës së diktaturës, periudhat e errëta, lidhja me Hajdukun dhe situata aktuale.
Ja profili i Dinamos sipas gazetarit Danijel Trumbic:
“Sapo u mësua se kundërshtari i Hajdukut në turin e tretë të Ligës së Konferencës do të ishte një klub me emrin Dinamo City, u shtrua menjëherë pyetja logjike: a është ky “ai” Dinamo nga Tirana, një nga klubet e rralla shqiptare që tingëllon i njohur edhe më herët? Përgjigjja është – po, dhe ka një shpjegim shumë të thjeshtë për këtë. Disa vite më parë, klubi u ble nga pronarë të rinj, të cilët vendosën një drejtim të ri.
Hapi i parë ishte ajo që sot në gjuhën e marketingut quhet “rebranding”. Kështu u zgjodh emri City – aq popullor sot në botën e futbollit, nga Manchester e më tej, duke tentuar të “fshihnin pluhurin e së kaluarës”. Sepse Dinamo, ashtu si emrat e ngjashëm në Moskë, Bukuresht apo vende të tjera të ishbllokut lindor, ishte në thelb një klub i Ministrisë së Brendshme, nën kontrollin e shërbimit sekret famëkeq Sigurimi, pra, një klub “policor”. Dinamo u themelua në vitin 1950 gjatë regjimit të diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili konsiderohej më stalinist se vetë Stalini. Ai e ktheu vendin në një version pararendës të Koresë së Veriut, të izoluar nga bota. Shqipëria mori nofkën “vend i mijëra bunkerëve”, të cilët ende shihen përgjatë bregdetit, të ndërtuar për një rrezik që nuk ekzistonte kurrë, por që ishte pjesë e një lufte psikologjike kundër popullit. Që nga krijimi, “policët” e futbollit ishin të përkëdhelurit e regjimit, një fenomen tipik për klubet me këtë emër. Menjëherë pas formimit, ata fituan katër tituj kampion radhazi dhe vendosën një rekord që ende mban vlerë, 25 fitore radhazi në kampionat. Në total, Dinamo ka fituar 18 tituj kampion dhe 14 Kupa të Shqipërisë.
Një nga “legjendat” thotë se në kohën e Hoxhës, Dinamo kishte pak tifozë, ndaj policia sillte në stadium të burgosur që ishin sjellë mirë, për të mbushur tribunat. Në historinë e vet, Dinamo ka ndërruar disa herë emrin për t’u modernizuar. Në vitin 1995 u quajt Olimpik, por shpejt u rikthye në emrin origjinal. Fillimi i viteve 2000 ishte periudha më e vështirë, me rënie në Kategorinë e Dytë dhe rrezik për të zbritur edhe më poshtë. Shpëtimi erdhi në vitin 2019, kur klubin e bleu pronari i Triestinas, Marko Pontrelli, duke sjellë në klub një staf të ri italian. Në vitin 2020, ndodhi një episod interesant: trajnerë u bënë ishyjet italianë Françesko Moriero dhe Fabrizio Mikoli, të cilët qëndruan vetëm për dy ndeshje zyrtare. Tifozët më të zjarrtë të Dinamos quhen “Blue Boys”. Skuadrat e Hajdukut historikisht nuk kanë pasur fat kundër “Dinamove policore”.
Një shembull i famshëm është ai i viteve ’80, kur Hajduku u eliminua rëndë nga Dinamo e Moskës në Kupën e Kupave, pas një humbjeje 0-1 në Rusi dhe një disfate 2-5 në “Gradski vrt” në Osijek (ndeshje e luajtur aty pasi “Poljud” ishte pezulluar pas incidentit me gjelin e therur ndaj Totetnhemit). Sipas statistikave, Dinamo ka eliminuar rivalët në fazat me eliminim direkt vetëm tre herë: ndaj Hamrun, Burgas dhe Kaunas. Megjithatë, mund të krenohet se ka arritur barazime me Sporting Lisbonën dhe Marsejën. Ekziston edhe një lidhje interesante mes Dinamos dhe Hajdukut. Transferimi më i madh në historinë e klubit është ai i Eduard Abazit në vitin 1991 pikërisht te Hajduku, për një shumë që sot do të vlente rreth një milion euro. Abazi u bë një nga të preferuarit e tifozëve të bardhebluve, ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e fundit të Jugosllavisë kundër Crvena Zvezdës, dhe një vit më pas luajti rol kyç në titullin e parë të kampionit të Kroacisë, së bashku me Igor Stimac dhe Slaven Biliç.
Në atë kohë, një nga figurat kryesore të skuadrës ishte Goran Vuçeviç, sot drejtor sportiv i Hajdukut. Edhe pse është klub nga Tirana, Dinamo i luan ndeshjet në Elbasan, 56 kilometra larg, pasi stadiumi “Selman Stërmasi” nuk përmbush kriteret e UEFA-s, ndryshe nga “Elbasan Arena”, e cila ka pritur edhe ndeshje të kombëtares shqiptare. Sot, Dinamo nuk përmban ndonjë yll të njohur edhe për tifozët më të zjarrtë të futbollit, dhe nuk duket rival më i rrezikshëm se Zire. Në turin e dytë, ata eliminuar me vështirësi andorranët e Atletik Klub d’Eskaldes (1-1, 2-1). Sezonin e kaluar u renditën në vendin e katërt në kampionat, por pas 15 vitesh arritën të fitojnë Kupën e Shqipërisë, nën drejtimin e Ilir Dajës, trajner që ka fituar tre tituj kampion në Kosovë me Ballkanin dhe që dy vite më parë mposhti Dinamon e Zagrebit 2-0 me skuadrën e tij në Ligën e Konferencës”.
PANORAMASPORT.AL













