Probleme për Gvozdenoviç ndaj Vorës, Elbasani kryesues shfaqet në emergjencë
Elbasani do të zbresë në sfidën ndaj Vorës në një situatë emergjence totale në repartin difensiv, duke vënë seriozisht në provë balancat e skuadrës. Trajneri Ivan Gvozdenoviç nuk do të ketë në dispozicion asnjë nga tre qendërmbrojtësit natyralë, Bruno Lulaj është i dëmtuar, ndërsa Emir Azemoviç dhe Sigitas Olberkis mungojnë për shkak kartonësh.

Një situatë e pazakontë që detyron stafin teknik të bëjë zgjidhje emergjente në një nga ndeshjet më delikate të fazës përfundimtare. Në këto kushte, pritet që improvizimi të jetë i pashmangshëm. Arsen Kasen do të spostohet sërish në qendër të mbrojtjes, një rol që e ka mbuluar edhe më parë, ndërsa në krah të tij pritet të vendoset Emiljano Musta, i cili mund të avancojë nga pozicioni i zakonshëm në të majtë për të mbushur boshllëkun në qendër.
Këto lëvizje tregojnë qartë se Elbasani do të duhet të mbështetet më shumë te organizimi kolektiv sesa te rolet natyrale të lojtarëve. Sikur të mos mjaftonin problemet në mbrojtje, situata komplikohet edhe në portë. Përballë Vorës, Elbasani do të aktivizojë portierin e tretë, Redon Gega, pas dëmtimit të Martin Janaçek dhe pezullimit për kartonë të Klevi Totoshi. Një kombinim mungesash që e vendos skuadrën në një provë të fortë karakteri, në një moment kur çdo pikë ka peshë të madhe në ecurinë e sezonit.
PANORAMASPORT.AL













