Priti penalltinë dhe frenoi Skënderbeun në Korçë, Kozi i lumtur që luan për Korabin
Korabi ka marrë një pikë të artë në transfertën e Korçës, në një ndeshje ku heroi absolut ishte portieri Leon Kozi. Një rezultat mjaft i vlefshëm për dibranët, të cilët ruajnë diferencën prej katër pikësh nga ekipet e zonës së rrezikut, duke mbajtur gjallë shpresat për objektivat e sezonit. Skuadra dibrane ka lënë pas atë përballje pozitive dhe që prej ditës së djeshme i është rikthyer seancave stërvitore, pasi nuk ka kohë për pushim.
Të dielën në Peshkopi i pret sfida ndaj Luftëtarit, ku objektivi është i qartë, vetëm fitorja, për të vazhduar garën për një vend në “play-off”, pra në 6-shen e parë. Korabi është përforcuar ndjeshëm gjatë merkatos së dimrit dhe një nga afrimet më të rëndësishme ishte portieri Leon Kozi, i cili firmosi në minutat e fundit. Pikërisht në transfertën e Korçës ai u kthye në protagonist absolut, duke shkëlqyer me pritjet e tij dhe sidomos në minutën e 55-të, kur priti një penallti vendimtare të ekzekutuar nga Nasr, duke mbajtur portën të paprekur dhe duke i dhënë ekipit një pikë të çmuar. Performanca e tij nuk kaloi pa u vënë re, pasi u shpall edhe “Lojtari i Ndeshjes”, duke marrë trofeun përkatës nga organizatorët.
Prononcimi i Kozit
Pas ndeshjes, portieri i Korabit për “Panorama Sport” shpjegoi sekretin e pritjes së penalltisë: “Për këto momente jam përgatitur që kur u formova si portier në akademinë ‘Tirana’ dhe e kam përforcuar edhe gjatë kohës që luaja për Drenicën në Kosovë. Në situata të tilla, çelësi është përqendrimi te këmbët dhe lëvizjet e lojtarit para goditjes. Kjo më ndihmoi të kuptoj krahun e goditjes”. Kozi u shpreh i lumtur për debutimin e tij me fanellën e Korabit, duke theksuar rëndësinë e pikës së marrë: “Jam shumë i gëzuar që në ndeshjen time të parë arrita të jem protagonist dhe të ndihmoj skuadrën të marrë një pikë të vlefshme, për më tepër ndaj një kundërshtari të fortë si Skënderbeu.Do të vazhdoj të punoj për të rritur nivelin tim dhe synoj të rikthehem në Superiore”. Në fund, portieri zbuloi edhe arsyen pse zgjodhi Korabin, pavarësisht ofertave të shumta: “Kisha disa oferta, madje edhe nga Superiore, por zemra dhe origjina më çuan pranë vendlindjes së prindërve të mi. Jam shumë i lumtur që po kontribuoj për këtë skuadër”. Me një portier në superformë dhe një skuadër të motivuar, Korabi tashmë sheh përpara, ku sfida ndaj Luftëtarit mund të jetë një tjetër hap i madh drejt objektivit të sezonit.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













