Prishen llogaritë, Partizani nuk arrin objektivin minimal
Oltijon Kërnaja nuk u fsheh në prag të sfidës me Egnatian, edhe pse shpesh herë tregonte se ndeshjet do i merrte njëra pas tjetrës. Para dy sfidave të fundit ishte shprehur se objektivi minimal ishte vendosur për 4 pikë. Humbja në Rrogozhinë bën që Partizani të ketë dalë jashtë objektivit minimal për mbylljen e vitit. Tashmë i gjithë presioni shtohet. Përpara është ndeshja delikate me Dinamon.

Një rival i cili është treguar mjaft i vështirë. Tri ndeshjet e fundit mes dy skuadrave janë luajtur në “Elbasan Arena”. Dinamo fitoi takimet e vlefshme për kampionatin e rregullt, ndërsa Partizani atë të finales së vogël të “Final Four”. Takimi i fundit i luajtur tek “Arena e Demave” ishte në janar dhe u mbyll me barazim 1-1.
Për Partizanin barazonte Bintsuka me golin në minutat e fundit. Dinamo shkon e qetë në “Arena e Demave”, duke pasur 6 pikë më tepër se të kuqtë. Ekipi i Kërnajës ndërkohë duhet të harrojë humbjen në Rrogozhinë. Ndeshjet në “Arena e Demave” janë si pikë e fortë. Partizani nuk humbet një takim aty, që nga java e katërt ku u përball me Elbasanin dhe vendosi një gol.
KRAHASIMI- Partizani me Kërnajën është duke funksionuar, ndërsa humbja e fundit erdhi pas një ecurie mjaft pozitive. Trajneri tropojan e drejton ekipin prej 11 javësh, duke thyer çdo paragjykim të fillimit. Për Kërnajën mbetet eksperienca e parë në elitën e futbollit shqiptar.
Partizanin e mori në vend të parafundit, ndërsa më mirë se ai nga java e shtatë kanë bërë Egnatia dhe Elbasani. Vetëm nga 2 pikë më tepër numërojnë gjatë së njëjtës periudhë. Me 19 pikë të grumbulluara në 11 javë është po ashtu ekipi i Ilir Dajës, me të cilin rezervohet përballja e radhës.
PANORAMASPORT.AL













