Prezantohet Vucaj, Behari: Prisni edhe dy blerje. Nisin rinovimet, titulli nuk është kusht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2014 | 18:38

Prezantohet Vucaj, Behari: Prisni edhe dy blerje. Nisin rinovimet, titulli nuk është kusht

Vucaj prezantohet te FlamurtariErjon Vucaj është prezantuar dje në pasdite si lojtari më i ri i Flamurtarit. Prezantimi i mesfushorit shkodran është bërë para mediave nga drejtori sportiv i klubit, Ardi Behari. Në konferencën për shtyp, teksa pozuan me fanellën e Flamurtarit, drejtori i klubit, Behari, e cilësoi afrimin e Erjon Vucajt jo si një rastësi, por si një dëshirë e kahershme që drejtuesit e klubit vlonjat kanë pasur për mesfushorin shkodran. Behari ka vlerësuar lojtarin për cilësitë e tij, ndërsa nuk ka fshehur dëshirën që ta ketë të gatshëm mesfushorin qysh në ndeshjen e Superkupës. “Kam kënaqësinë e veçantë që sot (dje), nëpërmjet jush, të prezantoj te publiku lojtarin më të ri të Flamurtarit, Erjon Vucajn. Vucaj nuk është një lojtar i panjohur, por unë vlerësoj maksimalisht cilësitë e tij, të cilat ne i dimë dhe i njohim të gjithë. Afrimi i Vucajt te Flamurtari nuk është rastësi, por ka qenë një dëshirë e jona shumë kohë më parë, që tashmë është realitet. Unë i uroj suksese dhe kam bindjen se ai do të bëjë më të mirën te Flamurtari. Dëshira jonë është që ta kemi të gatshëm qysh në ndeshjen e superkupës”, deklaroi Behari.
Mesfushori Gjatë prezantimit të djeshëm përpara mediave, Erjon Vucaj ka theksuar faktin se pranoi të vinte në Vlorë për projektin madhor që ka Flamurtari, duke refuzuar kështu çdo ofertë tjetër që ishte në adresë të tij. Vucaj theksoi se do të japë maksimumin e tij për të arritur objektivat me Flamurtarin. “Dëshiroj edhe një herë të shpreh kënaqësinë time që jam pjesë e këtij ekipi me traditë. Kam pasur gjatë kësaj kohe shumë oferta, por zgjodha Flamurtarin për projektin e tij. Flamurtari është ekipi më i mirë i superligës shqiptare. Personalisht premtoj se do të jap më të mirën time, maksimumin, ashtu siç kam bërë në çdo ekip që kam luajtur. Kam kënaqësinë që do të jem përkrah lojtarëve shumë të mirë dhe cilësorë të Flamurtarit”, tha Vucaj.
Behari premton edhe dy goditje “Flamurtari do të bëjë edhe dy goditje të tjera”. Kështu është shprehur gjatë konferencës së djeshme për shtyp, drejtori sportiv i klubit, Ardi Behari. Behari nuk ka pranuar të flasë për emra konkretë lojtarësh, apo për pozicionet e tyre, por ka konfirmuar se do të ketë të tjera afrime. “Merkato nuk ndalet këtu. Në ditët në vazhdim do të ketë të tjera afrime. Besoj se do të jenë edhe dy futbollistë të tjerë që do t’i bashkohen ekipit. Nuk mund të flas për emra konkretë. Ne jemi në bisedime të vazhdueshme dhe do të kemi të reja”, u shpreh Behari.

Idriz firmos me Shkodran MetajNisin rinovimet, titulli nuk është kusht
Që prej të hënës, drejtuesit e Klubit të Futbollit Flamurtari kanë marrë Ok-in paraprak të të gjithë futbollistëve për të qenë pjesë e ekipit për sezonin e ri. Burime zyrtare pranë klubit vlonjat, pohojnë për gazetën se me të gjithë grupin aktual të lojtarëve është arritur akordi verbal për vijimin e bashkëpunimit. Qysh prej ditës së djeshme, lojtarët e Flamurtarit janë njoftuar se të paktën deri të premten do të përfundojë nënshkrimi i kontratave. Një fakt të tillë e paralajmëroi pak ditë më parë edhe “Panorama Sport”, pasi drejtuesit synojnë që deri para ndeshjes së superkupës të mbyllen të gjitha kontratat. Disa nga lojtarët e rinj, të cilët i janë afruar së fundmi Flamurtarit si Shkodran Metaj, Gilberto Fortunato dhe Erjon Vucaj kanë firmosur tashmë zyrtarisht. Ndërkaq, të parët që pritet të firmosin gjatë këtyre ditëve do të jenë portieri Ilion Lika, gjithashtu Gilman Lika, Gjergj Muzaka, Franc Veliu, Nijas Lena dhe më pas me radhë të gjithë lojtarët e tjerë. Gjithçka synohet që të përfundojë deri të premten. Menjëherë sapo të nënshkruhet kontrata, drejtuesit do të hedhin në llogaritë bankare të futbollistëve 30% të shumës së kontratës. Klubi ka përcaktuar tashmë edhe detyrimet e ndërsjellta mes palëve.
Klauzolat Nëse nuk do të arrihen objektivat që drejtuesit do të vendosin, do të ketë masa ndaj futbollistëve dhe stafit teknik. Parashikohen klauzola të posaçme që nëse nuk do të arrihen objektivat, do të ketë penalitete, natyrisht financiare. Por më drastikja mendohet të jetë edhe prishja e kontratës me futbollistët, nëse ata zhgënjejnë dhe bëhet me dije se do të ketë një pikë të posaçme në kontratë. E ndërsa për sezonin e ardhshëm drejtuesit kërkojnë ngritjen e një klubi elitar, mendohet se nuk do të vendosin si kusht titullin, por nuk do të tolerojnë nëse ekipi nuk renditet ndër tre vendet e para. Deri më tani veç largimeve që u kryen pak kohë më parë nga ekipi, disa edhe në formë huazimi dhe pas largimit të bujshëm të mesfushorit Zeqiri, nuk ka pasur të tjera largime.

Abilaliaj refuzoi hungarezët e Videotonit
Sulmuesi Arbër Abilaliaj ka pasur një ofertë nga Hungaria, por burimet pranë tij tregojnë se lojtari në momentet e fundit e ka refuzuar dhe ka vendosur të qëndrojë te Flamurtari. Në fakt, pista hungareze për te Videoton mund të ishte një ndër më të mundshmet e tij, po të kemi parasysh faktin e ngjeshjes me lojtarë të sulmit vlonjat, pas ardhjes së Gilberto Fortunatos dhe kur pritet edhe gjeorgjiani Nikoloz Gelashvili. Por sulmuesi vlonjat Arbër Abilaliaj ka vendosur të qëndrojë në Vlorë dhe mësohet se në ditët në vazhdim ai do të firmosë te Flamurtari.

Dilema për gjeorgjianin Gelashvili
Vonohet ardhja në Vlorë e sulmuesit gjeorgjian, Nikoloz Gelashvili. Drejtuesit vlonjatë theksojnë se ai tashmë është pjesë e Flamurtarit, ndërsa e justifikojnë vonesën e tij me një fatkeqësi familjare. Sipas tyre, Gelashvili pritet të mbërrijë në Vlorë në ditët në vazhdim. Por skuadra e Flamurtarit pak kohë më parë pati një histori të hidhur me holandezin, Nasir Mashi. E ndërsa klubi e priti atë disa ditë, sulmuesi nuk u bë më “i gjallë”, ndërsa nxori si justifikim se nuk e linte bashkëshortja të vinte në Vlorë.
ERMAL SIKA