Premio e “Final 4”/ Pas katër fazave, ekipet kanë marrë bonuset nga FSHF
Egnatia-Partizani dhe Vllaznia-Dinamo do të jenë dy përballjet gjysmëfinaliste të fazës “Final 4”. Ndërkohë që skuadrat po vijojnë përgatitjet për ndeshjet e 4 dhe 5 majit, drejtuesit po bëjnë llogaritë se sa para kanë fituar apo do të fitojnë nga verdiktet e kampionatit.

Pas katër fazave të rregullta, bonuset e vendosura nga federata kanë qenë këto: Vendi i parë, që është Egnatia, ka përfituar deri tani 100 milionë lekë të vjetër, ndërsa 70 milionë ka marrë Vllaznia, e cila u rendit e dyta. Në arkat e klubit, Dinamo, e cila u rendit e treta, ka përfituar 50 milionë lekë, ndërsa Partizani, që kapi vendin e katërt, ka fituar 20 milionë lekë si shpërblim. Ndërkohë, në “Final 4”, sipas rregullores së publikuar nga FSHFja, skuadra që fiton titullin kampion në datën 12 maj, do të përfitojë edhe 100 milionë lekë të tjerë.
Sakaq, të katërta skuadrat do të përfitojnë edhe të ardhura nga grumbullimi i parave që do të vijnë nga shitja e biletave në këto ndeshje, por edhe të ardhurat nga reklamat apo sponsorët që mund të afrohen. Në total janë 4 takime, dy gjysmëfinale, që do të luhen në “Arena Kombëtare”, ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt dhe finalja që do të luhet në Tiranë.
PANORAMASPORT.AL













