Prela dhe Grizha: Nuk do të largohemi nga Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2012 | 13:39

Prela dhe Grizha: Nuk do të largohemi nga Lushnja

Pas reagimit të donatorëve të Lushnjës, të cilët deklaruan se asnjë lojtar nuk do të ikë nga skuadra, vjen edhe prononcimi i dy lojtarëve të përfolur për t’u larguar gjatë këtyre ditëve. Mbrojtësit Arben Prela dhe Robert Grizha kanë zhvilluar një fazë shumë të mirë te verdhejeshilët, duke dhënë maksimumin në fushën e lojës e duke qenë deciziv në fitoret e Lushnjës.
Prela “Në fushë jemi kundërshtarë, por jashtë saj kemi shumë miq, prandaj mund të ulemi dhe të bisedojmë, por kjo nuk do të thotë asgjë”, shprehet lezhjani në lidhje me komentet e fundit që kanë ardhur pas mbrëmjes që dy lojtarët kaluan nën shoqërinë e drejtuesve të Partizanit. “Unë jam shumë mirë te Lushnja, ku kam firmosur një kontratë me këtë ekip dhe do ta respektoj deri në fund. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë, teksa kemi marrë maksimumin e pikëve, duke zënë vendin e parë dhe duke u shpallur kampion të dimrit me meritë. Unë jam shumë i bindur se do të arrijmë të ngjitemi në Superiore. Unë e shijova titullin e kampionit të dimrit, por kam bindjen se do ta shijoj edhe atë në fund të sezonit”, shprehet Prela.
Grizha “Unë kam një kontratë me ekipin e Lushnjës dhe do ta respektoj atë, pasi jam ndierë shumë mirë në këtë qytet me presidentin dhe me donatorët. Kemi mbyllur një fazë të parë shumë të mirë, duke qenë edhe kampionë dimri, të cilën e meritonim pasi e kemi udhëhequr kampionatin që nga java e parë e deri në fund. Jam i bindur që do të ngjitemi në Superiore”, përfundon prononcimin e tij mbrojtësi lezhjan Grizha.
ARMAND NEZHA