“Po e vuaj shumë ngërçin e golit”, Ruzgis kërkon zhbllokimin: Elbasani është ndeshja ime
Vora, bashkë me El basanin, mund të quhen surprizat e Superiores, por kjo nuk është thjesht rastësi, pasi elementet e përbashkëta që kanë mes tyre lidhen me projektet afatgjata, ruajtjen e grupit të lojtarëve dhe ecurinë e deritanishme të tyre. Vora, nën drejtimin e trajnerit Arjan Bellaj, që luan për herë të parë në histori në elitën e futbollit shqiptar, ka arritur të marrë 4 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje në 15 javë kampionat.

Me 16 pikë të fituara, renditet e 7-ta, duke zbritur një pozicion pas humbjes me Egnatian, ndërsa vendi i 7-të aktual e mban ende në zonën e mbijetesës. Vora ka lënë pas zhgënjimin e humbjes ndaj Egnatias dhe që nga e marta ka nisur përgatitjet për sfidën e rëndësishme të së shtunës kundër Elbasanit. Ekipi vjen me moral të lartë, sidomos pas fitores që arriti ndaj verdhebluve në fazën e parë, një ndeshje ku përmbysi rezultatin dhe mori tre pikë me shumë vlerë.
MANFREDAS RUZGIS
Një nga emrat më të rëndësishëm që pritet të jetë protagonist në këtë duel është Manfredas Ruzgis. Sulmuesi, i cili sezonin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë me 24 gola dhe u bë vendimtar në ngjitjen historike të Vorës në Superiore, po kthehet gradualisht në formacion pas dëmtimit të rëndë që e mbajti jashtë 10 ndeshjeve të para të sezonit.
Edhe pse akoma nuk është në formën optimale dhe ka luajtur vetëm pesë ndeshje pas rikthimit, Ruzgis beson se pikërisht ndaj Elbasanit do të vijë zhbllokimi. Ai ka nisur stërvitjet rregullisht me grupin, ndonëse disa shqetësime fizike ende e shoqërojnë pas dëmtimit të pësuar më 17 gusht në miqësoren me Laçin. Stafi mjekësor i ka dhënë “OK”-in për të rikthyer fuqinë e plotë, ndërsa sulmuesi kërkon të lërë pas çdo pengesë.
Në prononcimin për “Panorama Sport”, gjermano-lituanezi është shprehur hapur për presionin që ndjen. “Po e vuaj shumë ngërçin e golit. Kam luajtur pesë ndeshje në Superiore dhe ende nuk kam shënuar. Edhe pse nuk jam në formën më të mirë fizike, dua që kjo të jetë ndeshja e zhbllokimit tim. Dua të shënoj për të larguar këtë bllokim pas dëmtimit”, u shpreh fillimisht sulmuesi.
Për Ruzgis, Elbasani nuk është një kundërshtar i zakonshëm, pikërisht ndaj tyre bëri rikthimin në fazën e parë dhe tashmë kërkon që në “Elbasan Arena” të heqë njëherë e mirë ngërçin e golit. “Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua. Nuk jam mësuar të qëndroj kaq gjatë pa shënuar. Fati nuk ka qenë me mua, as forma fizike. Por kam besim të plotë se do të shënoj ndaj Elbasanit dhe më pas nuk do të ndalem deri në fund të sezonit”, përfundoi sulmuesi i kombëtares lituaneze. Vora e nis këtë sfidë me besim, motiv dhe një Ruzgis të vendosur për të rilindur aty ku rinisi gjithçka, në Elbasan.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













