PIKANTET/ FSHF rikthen gjyqtarin “non grata” te Partizani, risi dhe gol “fantazmë” në miqësoren me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2025 | 9:08

PIKANTET/ FSHF rikthen gjyqtarin “non grata” te Partizani, risi dhe gol “fantazmë” në miqësoren me Kukësin

Partizani dhe Kukësi e zhvilluan takimin miqësor, të shtunën e 2 gushtit. Sfida u fitua nga të kuqtë me rezultatin 1 me 0, ndërsa “Panorama Sport” iu sjell të veçantat e këtij takimi që u vendos nga goli i Gudjufit në pjesën e dytë.

partizani

-Jo më shumë se 200 të pranishëm në stadiumin “Arena e Demave”. Sfida nisi në orën 18:00, ndërsa kishte kushte të favorshme atmosferike. Për Partizanin rezulton përballja e parë e këtij sezoni në shtëpi.

-Judah Garsia nuk është i gatshëm për skuadrën. Sulmuesi bën vrapime i veçuar nga pjesa tjetër para fillimit të ndeshjes. Garsia po rikuperohet nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen e kthimit me Kaljun, më 17 korrik.

-Jo vetëm Garsia. Edhe Gjergji Kote i mungon Partizanit ndaj Kukësit. Mesfushori ka shfaqur probleme nga ngarkesa e seancave stërvitore. Kote pritet po ashtu të jetë i gatshëm për fillimin e kampionatit.

-Një element i Partizanit që spikati në Europë ishte Tedi Malaj. Mesfushori mungon ndaj Kukësit, pasi u ftua nga Kombëtarja U-19. Kështu është grumbulluar nga kuqezinjtë, që në gusht do të zhvillojnë dy miqësore luksi ndaj Italisë në Itali.

-FSHF ka caktuar Enea Jorgjin si gjyqtar kryesor. Ky i fundit është shpallur “non grata” nga të kuqtë. Hera e fundit që gjykonte Partizanin ishte pikërisht një vit më parë në stadiumin “Arena e Demave”. Të kuqtë humbën 0-1 përballë Vllaznisë dhe Jorgji u bë vendimtar me kartonin e tij të kuq nga Vangjel Zguros. Sfida mes Partizanit dhe Kukësit nuk rezulton një miqësore vetëm për dy skuadrat, por edhe për Jorgjin dhe ndihmësit e tij, Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj që janë para sfidës së turit të tretë në Ligën e Europës. Nuk ka gjyqtar të katërt në “Arena e Demave”. Ndërkohë Zrinjski do të presë Breidablik këtë javë në Bosnjë dhe Jorgji do shoqërohet nga Rexha dhe Çokaj. Si gjyqtar i katërt do qëndrojë Olsid Ferataj. Asistenti i Stjuart Atuell në VAR do të jetë Albert Doda.

-Partizani e nis lojën me formacionin 4-1-4-1. Në qendër të sulmit është vendosur Skuka, ndërsa pas tij qëndrojnë në krahë Isgandarli dhe Buxhelaj. Dallon ky i fundit që testohet për fazën ofensive. E nis në krahun e djathtë dhe më pas përfundon në të majtin. Për të kuqtë luajnë 6 mbrojtës nga fillimi. Martinez, Bytyçi, Preka, Atanaskoski, Sembene dhe Buxhelaj. Sembene vijon të mos vendoset në mbrojtje, por para saj.

-Xhuliano Skuka dhe Marçelino Preka kanë sot(2 gusht) ditëlindjen. Kapiteni dhe zëvendës kapiteni i Partizanit marrin urime të ndryshme nga tribuna për këtë rast. Të dy konsiderohen titullarë të padiskutueshëm te Partizani.

-Vusal Isgandarli mundohet të bëjë gjithçka vetë në minutën e 18-të. Pas disa manovrave me topin, ndalet në mesfushën e Kukësit. “Jepe të shkretën, jepe”, dëgjohet Fatjon Muhameti të thotë nga stoli. Trajneri i ekipit U-19 ka drejtimin provizor të Partizanit aktualisht, pasi të kuqtë kanë mbetur pa trajner.

-Karlos Martinez shfaq probleme fizike në pjesën e parë. Pasi merr ndihmën e stafit mjekësor, provon të vijojë lojën. Pak më vonë zëvendësohet pasi nuk ia del të vazhdojë. Vendin e tij e merr Mehmeti, që po ashtu lë fushën e lojës në pjesën e dytë.

-Te Partizani bie në sy se disa lojtarë kanë ndryshuar numrat e fanellave. Kështu Sembene ka marrë fanellën me numër 15, në vend të asaj me numër 34. Dion Vata ka shkëmbyer numrin 28 me 27. Kazim Ogunleje merr numrin 16 në vend të 39-ës. Gudjufi nuk ka 99-ën, por 21-shin. Rifa me numrin 11, që më parë mbahej nga Zeka. Më parë kishte 88-ën. Çipi ka numrin 24 dhe jo 29. Mateo Shanaj mban numrin 6 në vend të 25-ës.

-Ka gol “fantazmë” për Kukësin. Gjyqtarët që do të jenë në Europë kapen të papërgatitur në minutën e 26-të. Jorgji dhe asistenti Denis Rexha nuk e gjykojnë rastin si duhet. Pamjet e dërguara në “Panorama Sport” nga Kukësi tregojnë se topi i goditur nga Luis Birçaj në minutën e 26-të e kishte kaluar vijën fatale, ndërsa ndërhyrja e Prekës erdhi më vonë.

-Skuka preferon të luajë me geta të grisura. Futbollistë të famshëm në botë kanë preferuar të luajnë kështu, ndërsa tregohet se në këtë mënyrë zvogëlojnë presionin mbi muskujt e pulpit. Bellingham, Grilisht dhe Uokër kanë preferuar shpesh diçka të tillë.

-Disa lojtarë të Kukësit zhvillojnë nxehjen gjatë ndeshjes, ndërsa tërheqin vëmendjen e asistentëve. Për këtë stafit të verilindorëve u kërkohet që t’i pajisin me jelekë. Pjesëtari i Kukësit futet në dhomat e zhveshjes dhe më pas kthehet për të pajisur skuadrën me jelekë.

-Alban Hoxha i merr vendin Qirkos në pjesën e dytë. Një top i shkelmuar prej veteranit të Partizanit përfundon jashtë stadiumit.

-Atanaskoski luajti titullar, ndërsa në pjesën e dytë u zëvendësua. Nga tribuna VIP kishte partneren dhe vajzën që po e ndiqnin. Atanaskoski preferoi t’i takonte pasi u zëvendësua. Duke qenë se kaloi nga ana e stolit të Kukësit, takoi aty edhe disa prej tyre. Disa minuta më vonë u bashkua me familjen në tribunë, për ta parë pjesën e mbetur të miqësores me ta.

-Osman Myrta është risia e Fatjon Muhametit te Partizani. Një tjetër 16-vjeçar, që merr hapësirë nga akademia e Partizanit. Është mesfushor dhe sezonin e fundit u shpall kampion dhe fitoi Kupën me Partizanin U-17. Mesfushori i ri aktivizohet në pjesën e dytë. Partizani e mbyll miqësoren me tre 16- vjeçarë. Bashkë me Myrtën po luanin edhe Vata me Himallarin. Ky i fundit asistoi golin për Gudjufin.

-Albers Keko nuk mund të ndihmojë skuadrën në fushë. Sulmuesi i Partizanit duhet të mungojë për një kohë të gjatë, pas dëmtimit që pësoi në Estoni. Kjo nuk e pengon që të jetë krah skuadrës në pankinë. Në fundin e takimit Keko shfaqet duke mbajtur disa bidonë ujë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL