Pikantet e Tirana-Partizani/ Premio, Kobiljar dhe Tare ofendojnë të kuqtë! Drejtuesit e Partizanit bëjnë sherr edhe me policinë dhe stjuardët
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka zbritur në dhomat e zhveshjeve të stadiumit “Air Albania” për të takuar skuadrën pas fitores në derbi, ndërsa siç është bërë e zakonshme pas suksesit në një sfidë të tillë, ka premtuar një premio të majme.
Ai ka theksuar se shpresonte që loja në derbi të ishte një sinjal që skuadra vitin tjetër do të dominonte futbollin shqiptar.
“Ju falënderoj shumë, jam shumë i gëzuar për të gjithë sakrificën qe keni bërë. Për mua është gëzim dhe ju keni gëzuar të gjithë tifozët tanë. Nëse e keni vënë re, nëse do të bëjmë ndeshje të tilla si sot(të shtunën), që ishte një nga ndeshjet tona më të bukura, shpresojmë që ne të mbushim stadiumin herë tjetër plot. Pse e them këtë? Sepse shpresoj që sezonin e ardhshëm do të bashkëpunojmë përsëri të gjithë bashkë. Kuptohet që do të ketë edhe blerje te tjera që ne ta dominojmë kampionatin shqiptar dhe të mos vuajmë si vuajtëm këtë vit. Ju falënderoj të gjithëve pa masë, ju uroj suksese. Sa i përket premios, pa u lodhur ju, nga një premio do e bëjmë. Sa çdo marrim xhiro nga stadiumi, ndoshta 40, 50…”, tha Halili ndërsa futbollistët shpërthyen menjëherë në brohoritje.
-Në fund të sfidës, ashtu siç është bërë e zakonshme, lojtarët e Tiranës kanë shkuar poshtë tribunës së ultrasve të tyre për të festuar. Këtë radhë, festa ishte me kore ofenduese kundër Partizanit, të cilët lojtarë e bardhebluve nuk ngurruan t’i këndonin të entuziazmuar, përfshirë edhe lojtarët e huaj apo edhe Etien Tare, familja e të cilit ka lidhje të ngushta me klubin e kuq. Rijad Kobiljar “kaloi limitet”. Ai mori megafonin nga tifozët dhe për disa sekonda u kthye në “ultras”. Për këtë të fundit, disiplina mund të rezervojë një dënim siç ndodhi vite më parë me Gentian Muçën.
-Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit i vlefshëm për javën e 33-të të Superiores, nisi me vonesë për shkak të tymit që “pushtoi” fushën. Nuk munguan tifozët e flaktë të “demave” dhe të bardhebluve të cilët ndezën supersfidën me banderola të ndryshme. Tifozët e kuqtë hapën në duar një banderolë me shkrimin: “Myte, Myte”. Kjo duke qenë se në dy derbit e fundit ka triumfuar Partizani dhe se skuadra e Shehit rrezikon rënien nga kategoria. Por tifozët bardheblu iu janë përgjigjur me një tjetër banderolë: “Ata duan që ne të biem, por ne qëndrojmë mbi të gjithë”.
-Partizani gjeti golin e avantazhit me Hjumën në minutën e 22 duke shtangur Tiranën. Menjëherë pasi të kuqtë kanë tundur rrjetën e Bekajt ka shpërthyer tensioni te tifozët bardheblu dhe stjuartëve. Në këtë situatë edhe Policia është futur dhe është rreshtuar para tyre.
-Rreth 7000 tifozë të pranishëm në stadium për të ndjekur sfidën e së shtunës mes Tiranës dhe Partizani. Këtë sezon derbet u ndanë me nga dy fitore dhe golaverazh 5-5. Ndeshja nis me 7 minuta vonesë për shkak të problemeve pas hapjeve të koreografive.
-Oltijon Kërnaja proteston për verdhën e Qakës, por tërhiqet nga drejtuesit e skuadrës.
-Florjan Lata merr veç Oltijon Kërnajën dhe e këshillon për protestat e tij të ekzagjeruara.
-10 minuta nga fundi, të gjithë lojtarët e Partizanit mblidhen në mesfushë dhe vendosin një strategji tjetër, atë të sulmit dhe jo të mbrojtjes. Vendim që rezulton i gabuar.
-Kobiljar kërkon si i çmendur të ekzekutojë goditjen e dënimit në të 83-ën Shehi i thotë jo dhe e godet te faqet me lehtësi. Është pikërisht goditja e dënimit që kthehet në gol nga Alvarezi.
-Orges Shehi festoi si i çmendur në fund të ndeshjes. Durrsaku u ekzaltua si asnjëherë tjetër për këtë fitore.
-Kartonë të verdhë për Shehin dhe drejtorin Bunjaku. I pari, sepse kishte hyrë pa leje në fushë, ndërsa i dyti, sepse festoi si i çmendur dhe hyri në fushë në momentin e golit të dytë.
-Polemika të forta për rastin e pretenduar për penallti në dhomat e zhveshjeve. Drejtuesit e Partizanit pretendojnë për 11-metërshin, më pas kapen me policinë dhe stjuartët, pasi dëgjojnë ofendimet nga dhomat e zhveshjeve të Tiranës.
-Në minutën e 5-të, përplasje mes Sidibe dhe Ndong pas faulleve të mbrojtësit të bardhebluve, gjyqtari Lata e zgjidh me këshillim.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













