Pikantet e Teuta-Elbasani/ Daci dorëzohet, tifozët e kanë me gjyqtarin
Durrësi përjetoi një tjetër ndeshje plot ritëm dhe tension, ku përballja mes Teutës dhe Elbasanit solli jo vetëm futboll, por edhe episode që nuk kaluan pa u vënë re.
-Problemet për vendasit nisën që para startit, teksa sulmuesi Klejdi Daci ndjeu shqetësime muskulore dhe u detyrua të tërhiqej në momentet e fundit, duke prishur planet e stafit teknik dhe në vendin e tij u aktivizua Kuqi.
-Ndërkohë, edhe pse të dëmtuar, Lulaj dhe Musta qëndruan pranë skuadrës, duke dhënë mbështetjen e tyre në dhomat e zhveshjes.
-Një tjetër moment interesant lidhej me penalltinë e Teutës, ndryshe nga zakonisht kur përgjegjësinë e merr Maçolli, këtë herë topin e mori Arifi, i cili nuk gaboi nga pika e bardhë.
-Protagonist absolut u bë gardiani i portës së Teutës, Gentian Selmani. Brenda pak minutash ai ndali dy penallti radhazi, duke shpërthyer në duartrokitje nga tifozët dhe duke mbajtur skuadrën në lojë.
-Nga tribunat nuk munguan as batutat ironike ndaj arbitrit, sidomos pas vendimit për përsëritjen e një 11-metërshi në favor të Elbasanit, me tifozët që ironizonin: “Jep penallti prapë!”
-Në fund, festa ishte e gjitha për Elbasanin, me lojtarët që ndanë gëzimin me tifozët e tyre. Megjithatë, edhe në humbje, mbështetja për Teutën nuk mungoi, me “Djemtë e Detit” që qëndruan deri në fund në krah të skuadrës.
-Një detaj i veçantë pas ndeshjes: futbollistët e Elbasanit zgjodhën të festonin thjesht, duke konsumuar pica së bashku.
PANORAMASPORT.AL













