PIKANTET E ELBASANI-VLLAZNIA / Sherr pankinash, Brdariç i hakërrehet Gvozdenoviçit. Trajneri vendas merr një bluzë borxh
Nga acarimet e Brdariç dhe deri te përplasja me Gvozdenoviçin. Këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet e ndeshjes mes Elbasanit dhe Vllaznisë, që u luajt në praninë e rreth 3 mijë tifozëve. Të veçanta që serviren nga “Panorama Sport”.

– Sfida nisi me një minutë heshtje në nderim të ishportierit të Vllaznisë, Paulin Ndoja, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Shkodranët luajtën edhe me një shirit të zi në krah.
– Ivan Gvozdenoviç e drejtoi me një dorë të fashuar këtë ndeshje, pas një dëmtimi që ka pasur gjatë javës në stërvitje. Sakaq, detyrohet të ndryshojë bluzën, sepse ishte e njëjtë me ekipin në fushë. Ia merr borxh portierit rezervë, Redon Gega.
– Në minutën e 17-të shihet Gurishta të debatojë me tifozët e Elbasanit, gjatë kohës kur po i jepej ndihma e parë Klevis Kasës të dëmtuar.
– Tomas Brdariç kërkon llogari te gjyqtari për kartonin e verdhë të dhënë ndaj Deliut, duke shfryrë jo pak i irrituar dhe i habitur njëkohësisht.
– Brdariç i hakërrehet Gvozdenoviçit për një anësore, me serbin që e kërkoi për ekipin e tij, ndërsa gjermani bërtet. “Ec atje”, duke detyruar gjyqtarin e katërt të ndërhyjë ta qetësojë.
– Gjatë momentit të zëvendësimit të Bekim Balajt nisin ofendimet në kor ndaj tij. Sulmuesi hap krahët dhe bën gjeste me duar, duke irrituar më shumë tifozërinë vendëse. Bekim Balaj shënoi golin e vetëm të Vllaznisë, që barazoi 1-1 ndaj Elbasanit. Ishte minuta e 61-të, kur trajneri Brdariç vendosi të zëvendësonte kapitenin.
– Ka një paqartësi në momentin kur në fushën e lojës futet Çoba, në një kohë që drejtuesit e Vllaznisë kanë harruar t’i shkruajnë emrin në protokoll. Vendësit protestojnë dhe ndalet loja për disa minuta, derisa qartësohet situata.
-Për herë të parë në historinë e AF Elbasanit, skuadra ka mundësi që të jetë në “Final 4”. Këtë vit verdheblutë kanë qenë një herë në vendin e parë dhe më pas deri në vendin e gjashtë i kanë prekur disa herë këto pozicione.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













