Pikantet e Egnatia-Tirana/ Xhixha lë lojën me lot, tifozët dhurojnë spektakël
Atmosferë, emocione dhe momente që shkojnë përtej rezultatit. “Panorama Sport” sjell pikantet nga sfida e Rrogozhinës, një ndeshje e mbushur me detaje që i dhanë edhe më shumë ngjyrë fitores së vuajtur të Tiranës.

-Në stadium u regjistrua një prezencë e kënaqshme tifozësh, ku nuk munguan as ata nga kryeqyteti. Bie në sy edhe numri i konsiderueshëm i tifozëve femra, kjo falë politikës së klubit rrogozhinas, i cili u ka lejuar hyrjen falas.
-Në minutën e 18-të, Flamur Ruçi rrëzohet në tokë pas një dyluftimi me Rafael, duke pësuar një çarje pranë vetullës, nga ku nisi menjëherë gjakderdhja. Stafi mjekësor ndërhyn menjëherë, ndërsa shqetësimi në fushë është i dukshëm. Mbrojtësi rikthehet në lojë pa probleme, por detyrohet të ndërrojë fanellën e gjakosur dhe vazhdon ndeshjen me kokën e fashuar.
-Redon Xhixha shpërthen në lot në fundin e pjesës së parë, pasi detyrohet të lërë fushën i dëmtuar, vetëm pak minuta, pasi kishte shënuar golin e avantazhit për bardheblutë. Një moment emocional që preku gjithë pankinën e Tiranës.
-Në minutën e 66-të, ultrasit bardheblu ndezin flakadanë në tribunë, duke krijuar një atmosferë elektrizuese dhe duke i dhënë mbështetje maksimale skuadrës në momentet më të vështira të ndeshjes.
-Gjatë një ndalese loje, kur Tafas po merrte ndihmën mjekësore, trajneri Nuhiju përfiton nga rasti për t’u dhënë direktiva të qarta dy mbrojtësve të tij, Lleshit dhe Verës.
-Tifozët e Egnatias nisin të boshatisin stadiumin ende pa u mbyllur ndeshja. Humbja duket se ka lënë një shije të hidhur dhe zhgënjim të madh në radhët e tyre.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













