PIKANTET/ Bylis-Elbasani, 16 të huaj në fushë për 1 pikë. Portieri Abalora luajti me kapele
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Adush Muça” u shoqërua me disa momente interesante, siç ishin thumbimet e tifozëve vendës. Autoambulanca bëri që ndeshja të niste me 7 minuta vonesë, ndërkohë që në fushë ra në sy aktivizimi i 16 lojtarëve të huaj. “Panorama Sport” sjell disa nga episodet më pikante.

-Në këtë ndeshje ndoshta është vendosur një rekord sa u takon lojtarëve të huaj. Janë aktivizuar 16 lojtarë të huaj të të dyja skuadrave, jo të gjithë në të njëjtën kohë, sepse rregullorja parashikon deri në 7 të huaj për një skuadër. Në radhët e Bylisit u aktivizuan: Toni, Bruno, Peralta, Kamara, Malomo, Berko, Ofori, Viktor Da Silva dhe Mustafa. Për Elbasanin luajtën: Abalora, Loukili, Olberkis, Ibrahim, Ze Gomesh, Tsague dhe Xhoel.
-Ndeshja ka nisur me 7 minuta vonesë. Shkak u bë autoambulanca, që kishte ardhur në stadium sipas orarit, por një urgjencë në qytetin e Ballshit bëri që ajo të largohej për pak minuta, për t’u rikthyer pastaj në “Adush Muça”. Delegati i ndeshjes, Besnik Çela, kërkoi masa të rrepta sigurie, duke parë dhe rivalitetin mes tifozëve.
-Në “Adush Muça” ishin të pranishëm rreth 800 tifozë. Ranë në sy dy grupimet e ultrasve, “Ultras Bylinët” të Bylisit dhe “Tigrat Verdheblu” të Elbasanit. Ndeshja ishte “Fair Play”, por nuk munguan ngacmimet në distancë nga të dy tifozeritë. Gjithsesi, nuk pati probleme, por shtrëngim duarsh në fund.
-Arbitrat në fushë dhe ata të VAR-it ishin nga qyteti i Durrësit, çka la shije të keqe për vendësit, kur dihet që Teuta është rival i Bylisit. Pati kontestime nga ballshiotët, të cilët nuk u pajtuan me vendimet e tyre.
-Tre debutime te Bylisi në këtë ndeshje. I pari ishte në stol, ku Gentian Mezani drejtoi ekipin ballshiot për herë të parë. Debutuan edhe portieri Toni dhe sulmuesi Mustafa.
-Në pjesën e dytë, portieri Abalora luajti me kapele, sepse dielli e pengonte jo pak.
-Ranë në sy dy banderolat e tifozerisë së Bylisit, që ka filluar të jetë më aktive. “Bylinët” mbështetën skuadrën dhe shpalosën dy banderola. “Ju nuk keni tifozë, keni klientë bugaçesh”, ishte njëra, që solli edhe të qeshura në tribunë. “Më shumë zhurmë bën Megi Pojani se sa macet e Elbasanit”, – ishte tjetra, që i bëri miqtë të shpërthejnë në sharje dhe ofendime. -Drejtuesit më të lartë të dy ekipeve e kanë ndjekur sfidën në krah të njëri-tjetrit. Në fund janë ndarë miqësisht, pasi kanë marrëdhënie të mira mes tyre.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













