Pësoi 3 gola ndaj Vllaznisë, Qirko bën apel: Mos më “kryqëzoni”, isha në debutim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2018 | 20:03

Pësoi 3 gola ndaj Vllaznisë, Qirko bën apel: Mos më “kryqëzoni”, isha në debutim

Pano Qirko kërkon të mos kryqëzohet për humbjen me Vllazninë. Portieri i ri, që do të jetë titullar të paktën edhe për dy ndeshje të tjera, pranon përgjegjësinë në ndeshjen ndaj Vllaznisë, por premton kthesën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 18-vjeçari flet për emocionet, por edhe për nisjen e rrugëtimit të tij në futboll si dhe për idhullin, që është Oblak.

Qirko

Qirko, si e ndjeve veten në debutimin me ekipin e parë?

Ishte ndeshja e parë e imja me ekipin e parë dhe emocionet ishin shumë të mëdha. Kam luajtur dhe me ekipet kombëtare të moshave, por këto emocione ishin më të mëdha.

Çfarë ndikoi në humbjen me Vllazninë, mendoni se edhe ju kishit përgjegjësi?

Në humbjen e Flamurtarit në Shkodër, mendoj se ishte goli i parë që ndikoi dhe që më pas u hap loja. Mendoj se kam përgjegjësi edhe unë sepse jam ai që duhet të mbrojë portën.

Më kë folët pas kësaj ndeshjeje?

Pas ndeshjes kam folur me babin që është një njeri, që më mbështet shumë.

Po me trajnerin Duro keni biseduar?

Trajnerin Duro e falënderoj sepse më mbështet shumë dhe më jep besim dhe për këtë gjë ia di shumë për faleminderit.

Do të dëshironit të ishit në më shumë ndeshje titullar?

Për sa i përket titullarit nuk e di sepse këtë gjë e vendos trajneri. Mendoj se më duhen më shumë minuta sepse cilido që është pjesë e ekipit, jo vetëm unë, do t’i donte shumë minutat me Flamurtarin, pasi është një emër i madh në futbollin shqiptar.

Patët presion në ndeshjen me Vllazninë?

Patjetër, që kam presion në vetvete. Kjo sepse luaj me një ekip, që kam ëndërruar që i vogël dhe një ekip, që ka fanellën më të rëndë në Superiore.

Qirko2

Keni një premtim për ndeshjen ndaj Laçit?

Për ndeshjen me Laçin unë premtoj dhe shpresoj se do të tregoj cilësitë e mia.

Dëshironi të qëndroni gjatë te Flamurtari apo do të preferonit një aventurë në një ekip tjetër?

Dëshiroj të qëndroj se më pëlqen Flamurtari. Por edhe mundësitë, që janë jashtë besoj se më bëjnë mirë për të ecur para. Do dëshiroja të shkoja në një ekip të paktën të luaja në Champios League.

Kur e keni nisur futbollin dhe cilët kanë qenë trajnerët e parë?

Futbollin e kam nisur rreth 13 vjeç me trajner Ardi Bozhanin dhe aty kam vazhduar rreth 1 vit e gjysmë, ku më pas kam shkuar direkt te paratërinjtë në moshën 15- vjeçare. Më ka stërvitur Erion Dinja me pas profesor Luan Birçe më ka marrë përsipër në një kohë më të gjatë dhe besoj në aftësitë e tij dhe më ka sjellë deri këtu ku jam. Profesori i parë ka qenë Ardi Bozhani, ndërsa trajneri që më ka sjellë këtu është Luani dhe doja ta falënderoja shumë që më ka stërvitur me përkushtim.

Kush kanë qenë ekipet e para që keni nisur karrierën?

Ekipet që kam luajtur janë ekipet e akademisë, ku kam dalë kampion me U-17 dhe U-19 dhe ekipi i parë, në të cilin po marr minutat e para. Aktualisht, jam pjesë e Kombëtares U 19 ku kam luajtur dhe në Europian dhe besoj se ndihem i lumtur me aq sa kam dhënë për Kombëtaren dhe shpresoj të vazhdojë kështu.

Cili është idhulli juaj?

Idhulli im është portieri Oblak sepse është një portier që del mirë dhe ka pritje të shpejta dhe shumë reflekse.

ERMAL SIKA