Përsëri shuplakë nga FIFA, Vllaznisë i bëhet makth futbollisti i sapolarguar
Vllaznia është përballur me një tjetër vendim të rëndë nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s. Klubi shkodran është shpallur fajtor për mosshlyerjen e detyrimeve financiare të përcaktuara nga FIFA Clearing House dhe, si pasojë, është dënuar me bllokim të merkatos në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe me një gjobë prej 10 mijë dollarësh.

Çështja lidhet përsëri me transferimin e futbollistit Eslit Sala nga Valeta te Vllaznia. Më 18 gusht 2023, FIFA kishte përcaktuar se klubi shqiptar duhej të paguante kompensimin e formimit për klubet që kishin kontribuar në edukimin futbollistik të lojtarit. Për këtë arsye u gjenerua një urdhër pagese në vlerën 82.247,44 euro.
GJYQI – Pas moskryerjes së pagesës brenda afateve të përcaktuara, FIFA Clearing House i dërgoi Vllaznisë dy kërkesa zyrtare për shlyerjen e detyrimit. Në kërkesën e dytë, të datës 30 dhjetor 2025, shuma totale, e përfshirë edhe tarifa administrative për vonesë, arriti në 84.303,63 euro. Megjithatë, klubi nuk e realizoi pagesën as brenda afatit shtesë të vendosur nga FIFA. Në mbrojtjen e saj, Vllaznia argumentoi se kishte hasur probleme administrative dhe teknike në sistemet e FIFA-s, për shkak të ekzistencës së dy profileve të ndryshme të klubit në TMS. Gjithashtu, drejtuesit e klubit përmendën vështirësi të përkohshme financiare dhe kërkuan shtyrjen e afatit të pagesës deri më 15 qershor 2026.
VENDIMI – Megjithatë, Komisioni Disiplinor i FIFAs i hodhi poshtë këto argumente. Sipas vendimit, problemet e pretenduara me identifikimin e klubit lidhen me një rast tjetër dhe nuk kanë asnjë ndikim mbi detyrimin financiar të krijuar nga transferimi i Eslit Salës. FIFA theksoi se vështirësitë ekonomike nuk përbëjnë arsye të vlefshme për të mos respektuar detyrimet financiare të përcaktuara nga rregulloret.
Si rezultat, Vllaznia është urdhëruar të paguajë menjëherë shumën prej 84.303,63 eurosh ndaj FIFA Clearing House, si dhe një gjobë shtesë prej 10 mijë dollarësh ndaj FIFA-s. Për më tepër, klubi është ndaluar të regjistrojë lojtarë të rinj, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj, deri në momentin kur të kryhen plotësisht të gjitha pagesat e kërkuara.
Vendimi është ekzekutiv dhe bllokimi i merkatos hyn në fuqi menjëherë. FIFA ka paralajmëruar gjithashtu se në rast të mosrespektimit të mëtejshëm të këtij vendimi, ndaj Vllaznisë mund të merren masa të tjera disiplinore edhe më të rënda.
OLSI AVDIAJ / ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













