Përndreca: Duam pikë në kryeqytet, Bylisi e thyen Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2025 | 12:47

Përndreca: Duam pikë në kryeqytet, Bylisi e thyen Tiranën

Ballshiotët kanë shfrytëzuar edhe një ditë për shkak të shtyrjes së ndeshjes me bardheblutë, duke u stërvitur në Mallakastër. Ekipi ballshiot luan sot në mesditë, në “Selman Stërmasi”, ndërsa lojtarët shprehen se kjo shtyrje nuk ndikon, madje me të njëjtin ritëm do të jenë edhe ndaj bardhebluve në sfidën e sotme.

perndreca

Kjo është sfida e parë e fazës së dytë, ndërsa ndeshja e parë në Ballsh përfundoi 0-0. Fabjan Përndreca, një nga titullarët e Bylisit, që po spikat këtë kampionat, duke fituar vendin e titullarit por edhe duke u aktivizuar me Shpresat U-21, për “Panorama Sport”, në prag të duelit me kryeqytetasit ka pohuar synimin për pikë.

“Shkojmë të motivuar për dueli me Tiranën, e kemi pasur edhe vjet rival për mbijetesën, por edhe këtë sezon deri në këtë fazë. Në ndeshjen e parë në Ballsh na mungoi goli, ndërsa ky duel do të jetë ndryshe. Kemi pësuar shumë ndryshime si grup në kulmin e harmonizimit, sepse edhe ata pak lojtarë që luajnë për herë të parë këtë sezon me ne janë integruar. Kemi mungesa edhe në prag të kësaj sfide, por që nuk besoj se do të ndikojnë. E kemi nisur këtë sezon me mungesa që nga java e parë e deri në këtë pragndeshje, pra jemi mësuar dhe nuk ka vend për justifikim, ndonëse lojtarët qe na mungojnë kanë luajtur titullarë me ne. Te Bylisi dominon forca e grupit dhe këtë rrugë do të ndjekim edhe në vijim. Janë shumë lojtarë që kontingjent, kemi kohë që luftojmë dhe kam besim, madje do të guxojmë për rezultat pozitiv. Unë jam i bindur që me formën që ne kemi dhe mundësitë e thyejmë Tiranën. E respektojmë kundërshtarin, ekip me traditë dhe cilësi por ne jemi më lartë se ata në këto moment të garës”, tha Fabjan Përndreca, një nga lojtarët me shumë perspektivë të Bylisit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL